Shqipëria

Basha vijon me masakrën zgjedhore, ndërsa Rama shpall Qeverinë


Në ditën e shpalljes së Qeverisë së re “Rama 3”, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zgjedhur të vijojë retorikën e tij mbi atë që e quan “masakër zgjedhore”, për zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas tij, kryeministri Rama, është “shkatërruesi i bashkëjetesës demokratike dhe autor i kapjes së shtetit”.

Por, sipas kryedemokratit, çdo fjalim i kryeministrit nuk mund t’i gënjejë shqiptarët mbi masakrën zgjedhore.

Ai përmend edhe raportin e OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 25 prillit, ku pretendimet nga selia blu janë se ka pasur vjedhje masive votash dhe presion ndaj votuesve.

Në vëmendje, Basha sjell edhe kallëzimet që PD-ja ka bërë në SPAK për krime zgjedhore. Mbi 100 padi janë dorëzuar, përfshi ato në prokuroritë e rretheve.

“Përballë fakteve të patjetërsueshme, drejtësia nuk mund të qëndrojë duarkryq, teksa ata që e çuan korrupsionin në nivelin e kapjes së shtetit, vijojnë lojën e vjetër me bedelë të rinj, në dëm të çdo familjeje shqiptare”.

Është ky diskursi i radhës politik i kryeopozitarit, të cilin ka thënë më parë se do ta kthejë në kryefjalë në legjislaturën e re Parlamentare.

Për PD-në, raporti i ndërkombëtarëve tregon jo vetëm atë çfarë kanë denoncuar për zgjedhjet, por edhe një minim të demokracisë.

Pikërisht ai raport, do të jetë udhërrëfyesi i demokratëve për aksionin e tyre brenda dhe jashtë vendit.

“Një aksion, kundër krimit dhe korrupsionit që e ka lënë Shqipërinë në vendnumëro për shumë gjatë”, përmbyll Basha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore