Shqipëria

Banorët e Rinasit sërish në protestë: Duam të na kthehet jeta që kishim


Banorët e zonës së Rinasit janë grumbulluar sërish për të kundërshtuar devijimin në rrugën që të dërgon tek Aeroporti i Tiranës “Nënë Tereza”.

Sot është dita e tretë e protestës së tyre dhe ata shprehen se nuk do të ndalen.

Të ulur këmbëkryq, pranë rrethrrotullimit të Aeroportit, ata kanë kërcënuar se, nëse rruga nuk bëhet me dy sense lëvizje, do ta bllokojnë këtë aks.

Sakaq, kryeplaku i fshatit, Sabah Muja, ka bërë thirrje që të rishikohet edhe një herë vendimi dhe që banorëve t’ju rikthehet edhe një herë jeta e përditshme siç e kishin.

Protestat erdhën pasi ky aks, që nga 1 maji, u bë vetëm me një sens kalimi.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, pas periudhës së COVID-19, sillte trafik të rënduar me radhë të gjata automjetesh.

Por, nga ana tjetër, sipas banorëve, aksi me një kalim “ua ka vështirësuar jetën”.

Nga ky ndryshim, sipas tyre, preken drejtpërdrejtë 260 familje dhe ua zgjat rrugën për të shkuar në shkollë 130 fëmijëve.

Ata kanë refuzuar që t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, për shkak të rrugës së gjatë që duhet të ndjekin.

Vendimi i ARRSH-së

Ka qenë Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), i cili ka njoftuar se, pas periudhës së COVID-19, është rritur edhe fluksi i fluturimeve, si pasojë edhe qarkullimi i mjeteve, duke krijuar probleme për udhëtarët për të kapur linjat e fluturimeve në orarin e caktuar.

Kështu me qëllim shmangien e vonesave për lëvizjen drejt aeroportit, si dhe rritjen e sigurisë rrugore, është bllokuar për një afat të pacaktuar lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaj.

Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport.

“Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve për këtë ndryshim të qarkullimit!”, shkruhet në njoftimin e ARRSH-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore