Shqipëria

Banka Botërore parashikon rritje ekonomike në 3.3% të Shqipërisë për dy vitet e ardhshme


Banka Botërore parashikon se rritja reale e PBB-së të Shqipërisë në periudhën 2024-25 do të jetë e fiksuar në 3.3 për qind.

Kjo, duke cituar të dhënat në raportin e saj të fundit të Perspektivave Ekonomike Globale.

Institucioni financiar ndërkombëtar bëri me dije se në Evropën Qendrore dhe në Ballkanin Perëndimor, të cilët janë më të integruar në zinxhirët e vlerës së Bashkimit Evropian (BE), zhvillimi ekonomik u zbut nga rritjet e mëdha të çmimeve të energjisë, ndërprerjet e furnizimit me energji dhe shtrëngimi i politikës monetare.

Në Ballkanin Perëndimor, rritja parashikohet të ngadalësohet në 2.6 për qind në vitin 2023.

Kjo, duke reflektuar pasojat nga pushtimi rus i Ukrainës, konsumi më i ulët privat, kushtet e shtrënguara financiare globale dhe rritja më e dobët e kërkesës nga zona e euros, shtoi raporti.

Banka Botërore ngriti të martën perspektivën e saj të rritjes globale për vitin 2023, pasi SHBA-të, Kina dhe ekonomitë e tjera të mëdha janë dëshmuar më elastike sesa parashikimet, por tha se normat më të larta të interesit dhe kreditë më të shtrënguara do të ndikojnë më shumë në rezultatet e vitit të ardhshëm.

GDP reale globale do të rritet me 2.1 për qind këtë vit, tha Banka Botërore në raport. Kjo është më shumë nga një parashikim prej 1.7 për qind i lëshuar në janar, por shumë më poshtë normës së rritjes 2022 prej 3.1 për qind.

Huadhënësi i zhvillimit uli parashikimin e tij të rritjes globale për vitin 2024 në 2.4 për qind nga 2.7 për qind në janar.

Kjo, duke përmendur efektet e vonuara të shtrëngimit monetar të bankës qendrore dhe kushteve më kufizuese të kredisë që po reduktonin investimet e biznesit dhe banesave.

Këta faktorë do të ngadalësojnë më tej rritjen në gjysmën e dytë të 2023 dhe në 2024, por banka publikoi një parashikim të ri të rritjes globale për vitin 2025 prej 3 për qind.

Në janar, Banka Botërore kishte paralajmëruar se PBB-ja globale po ngadalësohej në prag të recesionit, por që atëherë, forca në tregun e punës dhe konsumi në SHBA kishin tejkaluar pritshmëritë, ashtu si edhe rimëkëmbja e Kinës nga bllokimet e COVID-19.

Rritja e SHBA për vitin 2023 tani parashikohet në 1.1 për qind, më shumë se dyfishi i parashikimit prej 0.5 për qind në janar, ndërsa rritja e Kinës pritet të rritet në 5.6 për qind, krahasuar me një parashikim prej 4.3 për qind në janar pas rritjes së reduktuar nga COVID prej 3 për qind në  vitin 2022 .

Banka, megjithatë, përgjysmoi parashikimin e saj të mëparshëm të rritjes për vitin 2024 në SHBA në 0.8 për qind, dhe uli parashikimin e Kinës me 0.4 pikë përqindje në 4.6 për qind.

Eurozona mori një rritje të parashikuar në 0.4 për qind për vitin 2023 nga një perspektivë e sheshtë në janar, por parashikimi për vitin e ardhshëm gjithashtu u ul pak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore