Shqipëria

Banka Botërore ngre parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë me 0.8%


Banka Botërore ka rishikuar rritje me 0.8 për qind në pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2023.

Ka projektuar 3.6 për qind, nga 2.8 për qind që ishte ky parashikuar në qershor të këtij viti.

“Ekonomia e Shqipërisë ka shfaqur qëndrueshmëri të konsiderueshme kundrejt goditjeve të njëpasnjëshme gjatë periudhës 2019-2022, duke nisur me tërmetin, pandeminë dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia”, shkruhet në raportin e Bankës Botërore.

Raporti vijon duke dalluar se ekonomia shënoi rimëkëmbje të fortë, me një rritje në masën 8.9 për qind në vitin 2021 dhe 4.8 për qind në vitin 2022.

“Normat e varfërisë vijuan trendin rënës edhe përgjatë vitit 2022. Faktor kyç në qëndrueshmërinë e Shqipërisë vlerësohet të jetë afërsia me Bashkimin Evropian, që lehtëson investimet, remitancat dhe eksportet. Ndërtimi dhe turizmi vlerësohen si katalizatorë kyç të rritjes ekonomike”, vijon raporti.

Banka Botërore ravijëzon po ashtu se indikatorët kryesorë ekonomikë sugjerojnë përshpejtim të rritjes gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë, me numrin rekord të vizitorëve të huaj në korrik 2022 dhe përshpejtimin e aktivitetit të ndërtimit.

Rritja e të ardhurave nga punësimi, rritja e kreditimit, indikatorët e ndjesisë ekonomike të bizneseve dhe konsumatorëve, si edhe të ardhurat nga taksat sugjerojnë një rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë dhe të tretë, si pasojë e rritjes së konsumit, investimeve dhe eksporteve.

Në tremujorin e parë të vitit 2023, punësimi u rrit me 4.4 për qind.

Rritja e pagave dhe punësimi incentivuan pjesëmarrjen e krahut të punës (mosha 15+) në punësim, e cila arriti në 64 për qind në tremujorin e parë 2023, shifra më e lartë që nga viti 2019.

Nisur nga rritja e fortë e GDP-së për frymë në vitin 2023, varfëria projektohet të zbresë me 1.9 për qind, duke arritur në 22.2 për qind.

Referuar Bankës Botërore, parashikohet që rritja ekonomike të jetë 3.6 për qind në vitin 2023, nisur edhe nga kushtet financiare ndërkombëtare.

Por rritja e aktivitetit të turizmit dhe ndërtimit pritet të shtyjë përpara eksportet, konsumin dhe investimet në vlera të përafërta me periudhën para pandemisë.

Sakaq, borxhi publik pritet të zbresë në nivelin 63.1 për qind e PPB-së në vitin 2023 dhe projektohet të zbresë edhe më shumë në afatmesëm, si pasojë rritjes së lartë nominale dhe reduktimit gradual të defiçitit fiskal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore