Sport

Balotelli mbetet në Itali shkaku i infektimit me COVID-19


Futbollisti italian, Mario Balotelli, ka mbetur i izoluar në vendlindjen e tij, shkaku i infektimit me COVID-19.

Balotelli ishte në Itali për të kaluar festat e fundvitit dhe si pasojë e infektimit me coronavirus, ai nuk do të mund të bashkohet në kohë të rregullt me ekipin e Adana Demirspor.

Lajmin për infektimin e sulmuesit italian e ka bërë të ditur vet klubi turk përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare.

“Futbollisti ynë, Mario Balotelli, ka rezultuar pozitiv me COVID-19, pas testit PCR të cilin e bëri në vendlindjen e tij në Itali”, shkruan klubi i Adana Demirspor.

“Si pasojë e infektimit, Mario do të qëndrojë në izolim në shtetin e tij. I urojmë shërim të shpejtë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e klubit turk.

Kujtojmë që Balotelli u bashkua me klubin e Demirspor në verën e vitit të kaluar, i cili u transferua nga skuadra italiane, Monza.

Klubi i Demirspor aktualisht drejtohet nga trajneri i njohur italian, Vincenco Montella, pjesë e të cilit është edhe portieri i kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric.

Balotelli deri më tani ka zhvilluar 20 ndeshje në të gjitha garat me klubin nga Superliga e Turqisë, prej të cilave ka shënuar tetë gola dhe ka dhuruar katër asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore