Shqipëria

Balluku: Në korrik, rruga e re nga Kthesa e Kasharit në Rinas


Ministrja shqiptare e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka deklaruar se në muajin korrik do të jetë gati rruga e re që lidh Kthesën e Kasharit me Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Lajmi u bë i ditur pas protestës së banorëve të zonave përreth aeroportit për hapjen me dy drejtime të rrugës.

Ministrja Balluku, po ashtu, pa nga afër situatën në këtë aks dhe prezantoi ndërhyrjen që do të realizohet për t’i dhënë zgjidhje trafikut në këtë segment.

Ajo shpjegoi se ARRSH ka nisur procedurën për ndërtimin e aksit të ri Kthesa e Kasharit-Fshati Ahmetaq-Rinas dhe bëri të ditur se brenda muajit korrik do të jetë gati.

Ndër të tjera, ministrja u bëri apel të gjithë drejtuesve të mjeteve, që udhëtojnë drejt Veriut, të aksesojnë dy daljet e tjera – atë të tunelit të Kamzës ose atë të Vorës – për t’u lidhur me rrugën e Kombit apo atë të Shkodrës.

Sipas saj, rritja e fluksit të fluturimeve ka shtuar trafikun në këtë aks, duke u bërë jo rrallëherë edhe pengesë për kapjen e orareve të fluturimeve nga ana e pasagjerëve.

Po ashtu, ministrja Balluku ravijëzoi se fluksi i fluturimeve në fund të muajit prill dhe fillim të këtij muaji ka arritur nivelet e muajit gusht të vitit 2019. Vit ky që përkon me vitin para pandemisë, kur edhe Shqipëria kishte arritur nivele të larta të trafikut ajror.

“Sot në Rinas ulen dhe ngrihen rreth 104 avionë në ditë. Parashikimi është që ky fluks përgjatë muajve të verës të rritet më tepër. Po të llogarisim 170 pasagjerë për avion, ky fluks shkon në 15-16 mijë persona dhe nëse e shumëzojmë me 2.3 që është numri i personave që shoqërojnë udhëtarët, fluksi shkon në rreth 30 mijë. Pra, janë 30 mijë pasagjerë që i afrohen Aeroportit të Rinasit dhe parkojnë në zonën përreth çdo ditë”, shpjegoi Balluku.

Në përmbyllje, ajo u shpreh se edhe bizneset e ndërtuara përgjatë këtij aksi, universiteti privat apo Tirana Business Park kanë shtuar ndjeshëm trafikun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore