Shqipëria

Ballkani, mes zjarresh e arrestimesh


Një korrik ndër më të nxehtit në histori dhe një gusht po aq i flaktë, e kanë shndërruar gjithë rajonin e Ballkanit në një ferr të vërtetë, me zjarre që nuk shiheshin prej dekadash.

Skenarët apokaliptikë që kanë kryer xhiron e botës me pamjet nga “furrnajat ballkanase”, lanë të shtangur njerëzimin.

Asnjë pjesë e rajonit nuk është kursyer.

Dy të vdekur janë shënuar në Shqipëri dhe mijëra hektarë sipërfaqe me bimësi janë shkrumbuar. Disa fshatra, për shkak të përshkallëzimit të situatës, janë evakuuar.

Vetëm në 24 orët e fundit, mbi 400 hektarë pyje janë djegur në gjithë vendin. Një situatë kritike u regjistrua në tunelin e Kalimashit, ku falë ndërhyrjes së përbashkët Shqipëri-Kosovë, u mundësua jo vetëm izolimi i flakëve, por edhe mbajtja e hapur e kalimit në tunel, pa rrezikuar udhëtarët.

Në Kosovë, që prej qershorit ka pasur mbi 280 vatra zjarri. Kanë qenë sipas njoftimit zyrtar të policisë, 109 raste të zjarrvënieve, 71 të shkaktimit të rrezikut dhe 95 incidente zjarri.

Turqia dhe Greqia, kanë qenë dy ndër vendet që e kanë vuajtur më së shumti situatën e krijuar.

Ishulli i Evias në Greqi, është braktisur tërësisht pas zjarreve. Po ashtu, vatra masive ka pasur në Varibobi, Heraklion, Mani, Rhodos dhe Messinia.

Në Turqi ka pasur tetë viktima nga flakët e përhapura në qindra vatra. Janë jashtë kontrolli ndërkaq 11 vatra në gjashtë rajone të ndryshme, ku po punohet për shuarjen e tyre.

Maqedonia e Veriut ka parë gjithashtu një situatë delikate nga zjarret. Gjithsesi, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, aty ka pasur më pak zjarre.

Pranga ndaj zjarrit

Natyra dhe ngrohja globale po “marrin hak” ndaj dëmeve të shkaktuar nga njeriu ndër dekada, por sërish, një pjesë e madhe e zjarreve janë të shkaktuar drejtpërdrejt nda dora e njeriut.

Në Shqipëri, rreth 20 persona janë arrestuar që prej 25 korrikut për zjarrvënie të qëllimshme. Dhjetëra të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Një pjesë e mirë e të arrestuarve, kanë shkaktuar aksidentalisht zjarret, duke djegur barishte të këqija ose plehra në oborret e shtëpive të tyre apo në tokat e punuara.

Në Kosovë, 20 persona janë arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme. Të dyshuar, janë 41 të tjerë, të cilët janë identifikuar.

Në Greqi, të arrestuarit për zjarrvënie të qëllimshme, kanë qenë, tre. Në Turqi ndërkaq, nuk ka të dhëna të sakta të përmbledhura mbi arrestimet.

Maqedonia e Veriut ka parë 14 arrestime deri më tani. Ndërsa, të tilla, ka pasur edhe në Bullgari.

Në vendet e tjera, po ashtu, shumica e flakëve janë përhapur aksidentalisht, pasi këta individë janë përpjekur të djegin barishte në fushat në pronësi të tyre.

Probleme të mëdha ka pasur edhe Italia, ku arrestime të shumta kanë ndodhur mbi çështjen. Kryesisht, rajoni më i goditur ka qenë ai i Sardegna-s. Një pjesë e banorëve janë evakuuar nga ishulli.

Temperaturat e larta do të vijojnë përgjatë gjithë gushtit, sipas meteorologëve. Kjo, nuk e lehtëson situatën e zjarreve në gjithë rajonin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore