Shqipëria

Ballkani interes strategjik i BE-së, por negociatat varen nga vetoja bullgare


“Ne duhet të hapim menjëherë procesin. BE duhet të zbatojë vendimin që ka marrë, duke miratuar kornizën negociuese dhe duke thirrur konferencën e parë ndërqeveritare. Nëse do të ndodhë kështu, ne nuk e dimë. Kjo varet nga sa do të arrihet të zgjidhet ngërçi mes Maqedonisë së Veriut (MV) dhe Bullgarisë dhe sa ajo do të jetë e gatshme të heqë barrikadën ndaj këtij procesi”.

Kështu u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e zhvilluar me ministrin gjerman për Evropën, Michael Roth, në Kryeministri, të enjten e 27 majit.

Në vijim, numri një i qeverisë tha se kjo vizitë përkon “me një kohë jo të rastësishme, për një vendimmarrje të rëndësishme”, lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, “Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat e veta. Me rëndësi është që, sidoqoftë, sot kemi mbështetje të zëshme nga të gjithë vendet, posaçërisht nga Gjermania”.

Ministri gjerman, Michael Roth, u shpreh se Ballkani “nuk është oborr i pasëm, por i brendshëm i Evropës”.

“Pajtimi rajonal është në interes evropian dhe gjerman. Për mua theksimi i kësaj është i rëndësishëm”, tha ai.

Ai vlerësoi që Shqipëria dhe MV kanë bërë dhe kanë shënuar arritje për plotësimin e kushteve për çeljen e negociatave.

“Shumë janë të zhgënjyer nga BE. Në të shkuarën është bërë shumëçka dhe ju e dini se ka pasur kushte të tjera për t’u plotësuar nga Shqipëria. Po punojmë me trysni që më 22 qershor, Këshilli i Ministrave të Evropës të marrë vendim pozitiv. Ka ende shumë për t’u bërë”, u shpreh ministri gjerman.

Kryeministri Rama, pasi rimori fjalën, u shpreh se “në politikë vendoset jo sipas ndjesive, por sipas fakteve”.

Sipas tij, “në rastin e MV-së dhe Shqipërisë, të dyja e kanë përmbushur kushtin, ndaj për të dyja duhet të nisin negociatat. Për këtë po punojmë. Bisedimet MV-Bullgari janë në proces dhe shpresoj të mbërrihet më 22 qershor”, tha ai.

Për vaksinën

Gjatë fjalës së tij, numri një i qeverisë foli edhe për vaksinën. Sipas Ramës, “BE s’duhet të marrë peng askënd në rajon, përveç atyre që nuk kanë bërë vaksinën”.

Rama është shprehur se “më e rëndë se shtyrja e vendimit për negociatat, do të ishte pamundësimi i qytetarëve të Ballkanit për të udhëtuar normalisht në Evropë, për shkak të ndarjes së tyre në dy kategori: ata që kanë bërë vaksinë Perëndimore dhe atyre që kanë bërë vaksinë Lindore”.

Ai tha se “shpresoj të mos ndodhë kështu dhe uroj që ju dhe miqtë e tjerë të na ndihmoni ta përçojmë këtë mesazh. Nuk ka arsye pse të ndahen njerëzit në kategori kur bëhet fjalë për lirinë e tyre për të lëvizur”.

Rama, ndër të tjera, tha se “për herë të parë ishim më të mirët. Tani, edhe Gjermania na arriti”, siç theksoi dhe ministri Roth në fillim të konferencës.

Takimi i Roth-it në Maqedoninë e Veriut

Para vizitës në Shqipëri, Roth ka pasur takim në MV.

Gjatë tij, ministri i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian se ka ardhur koha që të mbahet premtimi ndaj Tiranës dhe Shkupit, për hapjen e negociatave mbi integrimin në union.

“Është koha që të mbajmë premtimin ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është Evropa”, ka thënë Roth.

Ndër të tjera, ai ka bërë thirrje që të veprohet pa u menduar shumë. Kjo, për të shmangur çdo dyshim apo aludim krijuar karshi BE-së.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shumë pranë mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare. Pavarësisht kësaj, maqedonasit kanë ende në fuqi një veto aktive nga Bullgaria, për bllokimin e procesit të tyre të anëtarësimit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore