Sport

Ballkani dhe Drita bëjnë paqe


Ka përfunduar në barazim 2-2 super ndeshja e Superligës së Kosovës mes Ballkanit dhe Dritës.

Ballkani priti Dritën në takimin e javës së 30-të të Superligës, në atë që ishte një nga duelet më të luftuara të kampionatit.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa katër gola do të shënoheshin në 45 minutat e dyta të takimit.

Seria e golave u hap nga Blerim Krasniqi në minutën e 51. Megjithatë, avantazhi i miqëve zgjati vetëm tre minuta, pasi Gentrit Halili solli barazpeshën.

Por, Drita do të kalonte sërish në avantazh një minutë para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes me Ensar Huruglicën.

Por, edhe në këtë rast, vendasit nuk do të toleronin dhe do të barazonin ndeshjen. Nazmi Gripshi ishte heroi i Ballkanit duke realizuar golin në minutën e shtatë shtesë.

Me barazimin e arritur, Ballkani ruan kryesimin e Superligës me 60 pikë. 58 pikë ka Drita e vendit të dytë. Llapi i vendit të tretë ka 55 pikë dhe një ndeshje më pak.

Gjithashtu, këtë të shtunë u zhvilluan edhe dy takimet të tjera në Superligë: Liria 0-0 Dukagjini dhe Gjilani 1-1 Ferronikeli.

Të dielën do të zhvillohen takimet: Malisheva – Prishtina dhe Llapi – Fushë Kosova.

Renditja e Superligës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore