Shqipëria

Balla: Shanset që Bullgaria të heqë veton ndaj RMV-së, thuajse zero


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, ka deklaruar se ka zero shanse që Bullgaria të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Kjo është çështje që nuk na takon. Kjo është mbledhja e parë e një serie intensive që kemi, që t’i paraprijë qershorit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave është me rëndësi”.

Ndër të tjera, ai tha se Shqipëria duhet të bëjë “detyrat e shtëpisë që na ka vendosur Komisioni Evropian në mënyrë intensive dhe të menjëhershme”.

Nga ana tjetër, kryetarja e Këshillit, Jorida Tabaku, u shpreh se qeveria po fshihet pas vetos bullgare, ndërsa shtoi se krimi i organizuar po “trimërohet”.

“Kryeministri Rama po e përdor veton bullgare si pengesa kryesore për avancimin e procesit të integrimit evropian, por në fakt kjo është thjesht një retorikë politike. Detyrat e qeverisë shqiptare janë tashmë shumë të qarta, ku kriteri ndaj luftës dhe krimit të organizuar është ndër kryesoret”.

Tabaku u ndal gjithashtu në tri çështje thelbësore, të cilat u trajtuan në këtë takim.

“Së pari”, tha ajo, “duke iu referuar progres-raportit të Komisionit Evropian, çështjet mbi krimin e organizuar mbeten mjaft të ndjeshme. Raporti thekson se përpjekjet dhe vullneti politik duhet të rriten në drejtim të konsolidimit të historikut të sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale, si dhe krijimit të një historie solide në luftën kundër krimit të organizuar”.

Sipas saj, nga të dhënat zyrtare deri më tani, numri i zyrtarëve të lartë, të cilët janë nën hetim, mbetet i ulët, duke theksuar se hetimet nuk kanë përfunduar me vendim dënimi nga gjykata.

Tabaku theksoi se, duke iu referuar raportit të SHISH-it, krimi i organizuar në Shqipëri ka një lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar, duke përshtatur mënyra të ndryshme të ndërveprimit kundër agjencive ligj zbatuese.

“Së treti, për Komisionin Evropian me rëndësi ngelen dhe çështja e emigracionit, ku kërkohen përpjekje të konsiderueshme nga ana e qeverisë, çka dëshmon një vullnet të ulët politik”.

Ndonëse Bashkimi Evropian është shprehur për Albanian Post se nuk do të ketë një ndarje të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut, qeveria shqiptare pas Këshillimit Kombëtar ka ndryshuar qëndrim.

Në këtë mënyrë, Tirana zyrtare nëse Konferenca e Parë Ndërqeveritare ngelet në ngërç, do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut dhe hapjen e negociatave menjëherë, duke qenë se kushtet janë plotësuar.

Ka qenë kjo kërkesa e popullit shqiptar – e shprehur në procesin e Këshillimit Kombëtar me 67% të votave pro – për të ndarë Shqipërinë nga fqinja e saj në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.

Pse u vendos veto-ja?

Vitin e kaluar, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, la të kuptohej se unioni mund t’i çelë negociatat vetëm me Shqipërinë, nëse Maqedonia e Veriut nuk e zgjidh ngërçin me Bullgarinë.

Përparimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u bllokua më 22 qershor, për shkak të vetos së Bullgarisë, për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Kushtet e Bullgarisë përfshijnë refuzimin e qartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga pretendimet territoriale, të pakicave dhe historike ndaj Bullgarisë.

Sakaq, ata kërkojnë ndryshimin e mbishkrimeve apo monumenteve që nxisin urrejtjen ndaj Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Këto dy shtete kanë pasur konflikte të hershme historike. Tensionet mes vendeve u rritën vitin e kaluar.

Kjo erdhi pas vendosjes së vetos nga pala bullgare për hapjen e negociatave mes Bashkimit Evropian dhe MV-së.

Kjo për shkak të dështimit të qeverisë së Shkupit për të adresuar shqetësime të caktuara të identitetit.

Bullgaria kërkoi që termi “gjuhë maqedonase” të mos përdoret në asnjë dokument negociues të BE-së, pasi ajo e konsideron gjuhën si një dialekt bullgar.

Së dyti, Bullgaria i ka kërkuar MV-së të “pranojë” origjinën bullgare të kombit maqedonas, pasi nuk “ekziston” një komb i veçantë maqedonas.

Sipas shtetit bullgar, ky i fundit është vetëm një krijim “artificial” i komunistëve jugosllavë si pasojë e Luftës së Dytë Botërore.

Sofja zyrtare këmbëngul që Shkupi të heqë dorë nga pretendimi i tij për njohjen zyrtare të pakicës maqedonase në Bullgari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore