Shqipëria

Balla pas përjashtimit me 15 vite nga sistemi i drejtësisë: Vendim i turpshëm, do e apeloj në Strasburg


Alfred Balla, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka reaguar pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pasi ky i fundit vendosi përjashtimin me 15 vite nga sistemi i drejtësisë.

Balla e ka konsideruar të turpshëm vendimin, ndërsa shprehet se “nuk kemi të bëjmë me shkarkim, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj tij”.

Ai paralajmëron se çështjen ndaj tij do e apelojë në GjEDNj (Strasburg).

“Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vettingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua”, shkruan Balla.

Kështu KPA ka vendosur largimin e Ballës nga sistemi i drejtësisë, duke i hequr të drejtën për të ushtruar funksione për 15 vitet e ardhshme.

Nga ana tjetër KPA tha se trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së.

Balla u zgjodh në krye të KLP-së, si kandidat i propozuar nga shoqëria civile.

Përpara kësaj detyre ai punoi si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017 dhe sipas legjislacionit duhej t’i nënshtrohej procesit të vettingut.

Aosokohe, trupa e vettingut vlerësoi se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit, pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar.

Kështu, Komisioneri Publik ankimoi vendimin e vettingut për Ballën, duke rikthyer në vëmendje se kreu i KLP-së nuk gëzon statusin e magjistratit.

Në përfundim të mandatit, Alfred Balla kërkonte që të ushtronte funksionin në një prej prokurorive të Apelit, por sipas Komisionerit Publik, atij i duhej hequr e drejta për 15 vite te ardhshme për të ushtruar funksione në sistemin e drejtësisë.

Kjo pasi nuk gëzon statusin e magjistratit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore