Shqipëria

Balla: Dënojmë masakrën në Srebrenicë, por nuk do të votojmë kurrë një propozim të Berishës


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat jashtë selisë së Kuvendit ka sqaruar se rrëzimi i rezolutës së propozuar nga Sali Berisha për dënimin e masakrës në Srebrenicë, nuk ka të bëjë me përmbajtjen e saj.

Por se mazhoranca nuk do të votojë kurrë një propozim të ardhur nga një person i shpallur non grata, Sali Berisha.

“Dua të sqaroj se qëndrimi ynë kishte dhe ka të bëjë me faktin se njëri prej deputetëve propozues quhet Sali Berisha, i cili me vendimin që ne kemi marrë, është i papranueshëm për çfarëdolloj propozimi”, tha Balla në fjalën e tij.

Sipas deputetit të PS-së, qëndrimi i Shqipërisë ndaj masakrës serbe në Srebrenicë është tepër e qartë.

Balla tha se Shqipëria e ka dënuar masakrën e Srebrenicës, duke mbështetur edhe rezolutat e OKB-së.

Dalja e tij për mediat ishte në kundërpërgjigje të deputetit të Partisë Demokratike (PD), Tritan Shehu, i cili tha se mazhoranca nuk pranoi rezolutën “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të  Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”, dhe e akuzoi këtë si “akt të rëndë”.

“Për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, të gjithë biem dakord që Shqipëria e ka dënuar këtë masakër. Shqipëria ka qenë mbështetëse e rezolutave në OKB dhe OSBE për dënimin e gjenocidit dhe kemi përshëndetur vendimmarrjet e Gjykatës së Hagës ndaj autorëve të kësaj masakre”.

Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla

Balla iu drejtua deputetit Shehu, i cili propozoi në Kuvend rezolutën “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

“Në këtë kontekst kemi pasur një propozim me propozuesin Tritan Shehu, i kam kërkuar që këto çështje të kenë dakordësinë e të gjitha palëve dhe askush nuk duhet të marrë protagonizmin”.

Fjala e Shehut

Më parë, deputeti i PD-së, Tritan Shehu, doli në një deklaratë për mediat, ku deklaroi se mazhoranca nuk pranoi rezolutën “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”, duke e akuzuar këtë si një “akt i rëndë”.

“Nuk prisja këtë qëndrim që mbajtën të majtët. Jam i befasuar, sepse ata nuk pranuan që kjo rezolutë të kalojë në parlamentin shqiptar”.

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu

Sipas Shehut, rezoluta ka kaluar në Parlamentin Evropian (PE) dhe në vendet fqinje, si Kosova dhe Mali i Zi.

“Parlamenti shqiptar deri sot nuk ka kaluar asnjë dokument për të dënuar këtë gjenocid, siç ka bërë PE, gjë që krijon një impakt shumë të madh për Kuvendin e Shqipërisë”.

Akt shumë i rëndë, bllokimi i kësaj rezolute që ka kaluar në Kosovë, Mal të Zi.

Sipas deputetit, ky bllokim i kësaj rezolute, që ka përkuar me një kohë kur problemet në Evropë janë të vështira pas agresionit rus në Ukrainë dhe kur Serbia s’ka pranuar sanksionet kundër Rusisë, do të thotë “të jesh i detyruar shumë të mos pranosh të hapësh një kërkesë kaq të vlefshëm që do të kërkonte jo dënimin, por kërkesën për falje”.

“Sipas qëndrimit që mbajti PS, shpresoj që nesër seanca plenare do vendosë të kundërtën, nuk do lejojnë këtë aventurizëm që të majtët sot në konferencën e kryetarëve ndërmorën”, përmbylli Shehu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore