Shqipëria

Azilkërkuesit në rënie në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria me asnjë intervistë


Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në muajin nëntor të këtij viti, kanë mbërritur afro 1 mijë e 700 persona.

Ndërkaq, nëntori e ka gjetur Shqipërinë pa asnjë intervistë të kryer nga autoritetet për ata që më parë kanë kërkuar azil në vend.

Kështu ka dalë nga një raport i fundit i Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) mbi statistikat e azilkërkuesve.

Lidhur me shifrën e të ardhurve në rajon, ajo është relativisht më e ulët se ajo e një muaji më parë, me tre mijë të tillë.

Rënia nuk vërehet vetëm në muajin nëntor, por rezulton të jetë tendencë e gjithë vitit.

Në total, numri i të ardhurve të rinj në rajon për vitin 2021 është 27 mijë e 950.

Çka është më i ulët se tendencat e vërejtura në vitin pararendës me 58 mijë e 860 të ardhur dhe të vitit 2019 me 47 mijë e 500 për të njëjtën periudhë.

Për më tepër, në muajin nëntor janë paraqitur vetëm 95 kërkesa për azil krahasuar me 117 të tilla në tetor. Çka paraqet një rënie prej 18 për qind.

Që nga janari i vitit 2021, vetëm gjashtë për qind e 20 mijë e 530 personave që kanë shprehur synimet për të kërkuar azil kanë paraqitur kërkesa për azil.

Në nëntor janë marrë gjashtë vendime pozitive të shkallës së parë. Konkretisht, një status refugjati dhe pesë forma plotësuese të mbrojtjes.

Kurse që nga fillimi i vitit, janë refuzuar 165 kërkesa dhe 926 kërkesa për azil janë mbyllur pasi aplikantët janë larguar nga procedura e azilit.

Në po të njëjtin muaj, autoritetet në rajonin e Ballkanit Perëndimor kanë zhvilluar 21 intervista.

Prej tyre, 19 për qind janë realizuar në Bosnje dhe Hercegovinë, 24 për qind në Kosovë, 38 për qind në Mal të Zi, 14 për qind në Maqedoninë e Veriut dhe pesë për qind në Serbi.

Dhe asnjë intervistë nuk është zhvilluar këtë muaj në Shqipëri. Ndërkohë, në muajin tetor të këtij viti janë kryer 17 intervista.

Ndërsa lidhur me vendimet që mbeten në pritje, numërohen 513 deri në fund të këtij nëntori. Jo shumë diferencë krahasuar me 583 vendime në pritje në vitin 2020.

Nga ana tjetër, nëntë për qind e të gjitha aplikimeve janë dorëzuar nga gra dhe 14 për qind nga fëmijë, duke përfshirë pesë fëmijë të pashoqëruar dhe të ndarë nga kujdestarët e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore