Lajme

Avokati i Veselit: Prokuroria orkestroi takim me ambasadorët e BE-së për të akuzuarit


Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, të martën ka hedhur akuza të ashpra ndaj Prokurorisë së Speciales në lidhje me protokollin e propozuar nga ajo për kontaktet me dëshmitarët.

Ai i ka quajtur pretendimet e Prokurorisë për ndërhyrje të mundshme të mbrojtjes tek dëshmitarët qesharake dhe fyese.

”Janë komente fyese, nuk përputhen fare me rregullat dhe dua ta trajtoj sepse është koment serioz. Ju duhet ta shikoni mënyrën se si paraqitet çështja tek prezumimi i pafajësisë. Çështja kryesore është proporcionaliteti i kësaj që propozohet. Prokurori tha që nuk e dinte nëse e kishte të drejtën të përfaqësonte viktimat”.

“Ai nuk e ka këtë të drejtë. Siç thotë prokuroria se për çfarë është ky protokoll dhe cila është metodologjia. Prokuroria thotë se do të shmang ritraumatizimin e dëshmitarëve dhe të ruaj integritetin e tyre fizik”.

Ai ka kërkoi të dijë se përse përfshihen dëshmitarët në këtë protokoll, pasi konsideron se nuk ka asnjë arsye të besoj se mbrojtja t’i korruptojë ata.

Gjykata Speciale.

”Është për të qeshur, fyese dhe nuk duhet marrë seriozisht. E kundërta është e vërtetë. Për ndërkombëtarët që do thirren si dëshmitarë ky sistem nuk duhet zbatohet. Pra minimum duhet të përjashtohet çdo person që nuk është viktimë. Gjithçka që mund të bëhet për ta bërë numrin e menaxhueshëm, ndryshe do të kemi vonesë për dy vite”.

Emmerson, shtoi se në këtë proces secila palë duhet të ketë besim që të paraqes çështjen e vet.

”Nëse Prokuroria thotë se nuk mund t’ia kesh besën mbrojtjes, kjo është për të qeshur. Kam frikën se gjithçka mund të rrëzohet sepse gjithçka bazohet në besimin mes palëve. Këto janë kërcënim për bashkëpunimin e dëshmitarëve”, tha ai.

Po ashtu, avokati i Veselit ka deklaruar se Prokuroria ka orkestruar takim me ambasadorët evropianë për çështjen e të akuzuarve, dhe sipas tij kjo është diçka shokuese.

”Prokuroria e ka keqorientuar gjykatën në shumë mënyra. Prokuroria ka orkestruar takimin e ambasadorëve evropianë në lidhje me të akuzuarit. Kemi pasur zhvillime të tmerrshme sa i përket sjelljes së Prokurorisë. Është një shok dhe tronditje se si Prokuroria është lejuar të sillet. Të thuash se unë jam një person se do të kryeja krim në përgatitjen e mbrojtjes është e turpshme, dhe shembull se si Prokuroria ka humbur çdo arsye dhe logjikë dhe është e dëshpëruar”, u shpreh Emmerson.

Edhe, avokati i Thaçit, Gregory Keohe, për çështjen e mbrojtjes ka thënë se duhet t’i lejohet qasje pa kufizime tek intervistimi i dëshmitarëve, pasi që në situatën aktuale edhe me masat mbrojtëse të propozuara nga Prokuroria, nuk ka barazi të palëve.

“Nuk ka barazi të palëve. Flasim për një gjykatë që është e Kosovës dhe dispozitat që duhet të ndiqen. Kjo është shumë e qartë në kuadrin e kësaj gjykate. Procesi gjyqësor kërkon që mbrojtja të përfshihet në të gjithë gamën e shërbimeve. Pra mbrojtja duhet të sigurojë pa kufizime mbrojtjen e një personi, mbrojtjen e provave, përgatitjen për marrjen në pyetje”.

Avokati i Thaçit, Gregory Keohe.

Ai bëri të ditur se 157 dëshmitarë të ZPS-së kanë masa mbrojtëse.

“Dëshmitarët në listën e dëshmitarëve nuk janë dëshmitarë në listën e ZPS-së. Pikë. Janë dëshmitarë, që duhen marrë në pyetje nga të gjitha palët. Kjo është një shtesë paligjshmërie. Kemi 326 dëshmitarë, pothuajse 50% kanë masa mbrojtëse. Pra 157 dëshmitarë nga 326 kanë masa të tilla”, tha ai.

Më 26 tetor të vitit 2020 në Gjykatën Speciale në Hagë ishte konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Më 25 shtator në Prishtinë janë arrestuar edhe krerët e Organizatës të Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Më 7 tetor, dy udhëheqësit e shoqatës u deklaruan të pafajshëm për akuzat që përfshijnë pengimin e drejtësisë, frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të dy të pandehurit i thanë kryetarit të trupit, Charles Smith, se ishin të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore