Kosova

Avokati i Popullit mbështetë martesat e të njëjtës gjini


Ilustrim

Avokati i Popullit, përmes një komunikate për media, ka dhënë opinionin dhe qëndrimet e tij në lidhje me njohjen e marrëdhënieve familjare të personave me seks të njëjta, duke potencuar se një gjë e tillë duhet të njihet me Kodin e ri Civil, ashtu sikur që e garanton Kushtetuta e Kosovës.

“Avokati i Popullit vlerëson se Kushtetuta e Kosovës duke mos përcaktuar shprehimisht se e drejta e martesës është e drejtë e ‘burrit dhe gruas’, nuk paraqet asnjë pengesë për të konstatuar se privimi i personave me sekse të njëjta nga e drejta e martesës, paraqet shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar në bazë të orientimit seksual”, thuhet në deklaratën e këtij institucioni.

Avokati i Popullit më tej ka kritikuar edhe formulimin aktual të Projektkodit Civil për lejimin e bashkësive të regjistruara civile ndërmjet personave me seks të njëjtë, duke potencuar se Projektkodi në fjalë nuk definon qartë se çka paraqet një bashkësi e regjistruar civile.

“Nuk paraqet zgjidhje dhe nuk i reflekton të drejtat e garantuara me Kushtetutë. Projektkodi Civil në kuadër të rregullimit të marrëdhënieve familjare, të përcaktojë shprehimisht njohjen e marrëdhënieve të personave me sekse të njëjta”, përfundon deklarata.

Më 16 mars deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ia dhanë dritën e gjelbër Projektkodit Civil, në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Projektkodi Civil është kundërshtuar nga një pjesë e madhe e deputetëve, për shkak të nenit i cili mendohet se çon drejt martesave të së njëjtës gjini.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i kërkoi sqarime dhe konkretizime, rreth projektligjit, e cila sipas tij, nuk sqaron shumë gjëra.

Edhe Driton Selmanaj, kritikoi Kurtin nga i cili kërkoi shpjegim më të hollësishme.

“Kushtetuta e garanton një gjë të tillë, është e afirmuar aty, nuk ka nevojë për riafirmim, por për konkretizim”, tha Selmanaj.

“A kanë të drejtë të adoptojnë, a kanë të drejtë për alimentacion të fëmijëve, a kanë të drejtë në trashëgimi, krejt këto janë çështje që duhet shtjelluar tani”.

“A sa për afirmacion, nuk kemi pas nevojë, sepse kemi afirmacion. Afirmacioni është në aktin më të lartë [juridik] të këtij vendi”.

“Dhe, unë po e shoh që nga mungesa u guximit për ta trajtuar thelbësisht këto çështje, po thoni hajt ta përsërisim edhe njëherë afirmacionin”, tha Selmanaj.

Në anën tjetër Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se në formën se si ky Kod Civil është paraqitur në Kuvend, nuk e ka mbështetjen e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore