Lajme

Avokatët e krerëve të UÇK-së alarmojnë për dokumentet nga Serbia, Prokuroria e Specializuar mban të fshehtë përgjigjen


Me një mocion të përbashkët të katër ekipeve mbrojtëse në Hagë është kërkuar zbulimi i prejardhjes së çdo materiali që buron nga shteti serb, organet dhe institucionet e tij, në të cilin Zyra e Prokurorit të Specializuar është mbështetur, ose do të kërkojë të mbështetet, direkt ose indirekt, në rastin gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së.

Dokumentari i titulluar “Dosjet Speciale – Historia e bashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën Speciale”, i prodhuar nga Opinion / TV Klan dhe Albanian Post, përmbledh reagimet e avokatëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit që alarmojnë për rrezikun e dëmtimit të drejtësisë për shkak të këtyre dokumenteve që burojnë nga Serbia.

“Ne e kemi dorëzuar kolektivisht parashtresën drejtuar nevojës për të identifikuar se çfarë dëshmi kanë ardhur nga burime të ndryshme të korruptuara dhe të dyshimta që lidhen me Serbinë, ku që të gjitha kanë qenë të involvuara dhe janë të involvuara me Prokurorinë në ofrimin e dëshmive, ku një pjesë e madhe e të cilave në të kaluarën, nën ekzaminimin forenzik, kanë dalë të jenë mashtruese, të fabrikuara dhe një orvatje e qëllimshme për të manipuluar dhe për të çorientuar”, thotë avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

“Sa i përket pikës për dëshmitë nga Serbia, ne përkrahim fuqishëm parashtresat që janë bërë sot nga të gjithë ekipet mbrojtëse. Çështja e Rregullit 103, Shkëlqesia juaj, natyrisht, thjesht ka të bëjë me atë nëse ky është informacion që ndikon në kredibilitetin ose besueshmërinë e dëshmive të Prokurorit të Specializuar”, thotë avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis.

“Marrë parasysh gjithçka që dimë rreth asaj që autoritetet serbe po bënin, si është e mundur që dokumentet që Zyrës së Prokurorit të Specializuar i ka pranuar dhe po i përdor të mos ndikojnë në kredibilitetin e rastit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, nëse këto dokumente vijnë nga autoritetet qeveritare serbe?”, thotë avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe

“Detyra më themelore e çdo gjykate të drejtësisë është të mbrojë procesin e vet prej abuzimit ose prej keqpërdorimit, shumë thjesht, gjykatat duhet të sigurojnë integritetin e procedimeve të veta. E, nëse ato dështojnë në këtë gjë, me gjithë respektin, procedimet nuk kanë vlerë”, thotë avokati i Rexhep Selimit, David Young.

Kërkesa e mbrojtjes për shpalosjen e dosjeve nga Serbia është bërë publike në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, por jo edhe përgjigja e Prokurorit Jack Smith.

Është praktikë mospublikimi i parashtresave në raste të jashtëzakonshme dhe të ndjeshme.

Por, mbajtja fshehtë e përgjigjes së Prokurorit Jack Smith lidhur me bashkëpunimin me Serbinë duket e çuditshme, përveç nëse ai e konsideron si diçka të ndjeshëm dhe problematik këtë bashkëpunim, dhe nuk do që publiku në Kosovë ta marrë vesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore