Lajme

Autoritetet ukrainase paralajmërojnë për përkeqësimin e rrezatimit në Çernobil


Në të ardhmen, sfondi i rrezatimit në zonën e përjashtimit të termocentralit bërthamor të Çernobil-it mund të përkeqësohet ndjeshëm.

Ky lajm u raportua nga shërbimi për shtyp i Inspektoratit Shtetëror për Rregullimin Bërthamor të Ukrainës (SNRCU) në kanalin “Telegram”.

“Në kontekstin e vazhdimit të situatës ekzistuese, në të ardhmen e afërt, sfondi i rrezatimit në Zonën e Përjashtimit dhe më gjerë, duke përfshirë jo vetëm Ukrainën, por edhe shtetet e tjera, mund të përkeqësohet ndjeshëm”, thuhet në raport.

Shërbimi për shtyp foli për arsyet e përkeqësimit të mundshëm të gjendjes së rrezatimit.

Së pari, sistemi i automatizuar për monitorimin e gjendjes së rrezatimit në zonën e përjashtimit nuk funksionon.

“Nuk ka të dhëna për gjendjen aktuale të ndotjes nga rrezatimi të mjedisit në Zonën e Përjashtimit”, theksoi SNRCU-ja.

Kjo gjë, sipas saj, e bën të pamundur reagimin adekuat ndaj kërcënimeve për përkeqësim të situatës nga rrezatimi në Zonën e Përjashtimit.

Arsyeja e dytë është se shërbimet zjarrfikëse që angazhohen për shuarjen e zjarreve në pyjet në zonën e përjashtimit nuk janë në gjendje të kryejnë funksionet e tyre.

Më 24 shkurt, si rezultat i një sulmi të armatosur rus, të gjitha objektet e Çernobil-it të vendosura në zonën e përjashtimit u morën nën kontroll nga pushtuesit rusë.

Më 9 mars, si rezultat i veprimeve armiqësore të pushtuesve, termocentrali bërthamor i Çernobil-it u çaktivizua plotësisht.

Në të njëjtën ditë, Ukraina i raportoi Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se termocentrali bërthamor i Çernobil-it ishte shkëputur nga rrjeti i energjisë.

Dy ditë më pas, termocentrali arriti të sigurojë një furnizim shtesë me naftë.

Një javë më parë, u rivendos përfundimisht furnizimi me energji në termocentralin bërthamor të Çernobil-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore