Lajme

Autoritetet ruse zbulojnë qëllimet e “fazës së dytë” të luftës


Rusia planifikon të pushtojë plotësisht Donbas-in dhe Ukrainën jugore gjatë “fazës së dytë” të luftës kundër Ukrainës.

Lajmin e bëjnë të ditur agjencia “Interfax” dhe “Tass”, duke cituar zëvendëskomandantin e Qarkut Ushtarak Qendror, Rustam Minnekayev.

Sipas tij, kontrolli mbi Donbas do të krijojë një korridor tokësor për në Krimenë e pushtuar dhe “do të ndikojë në objektet jetike të Forcave të Armatosura”.

Kontrolli mbi jugun e Ukrainës do t’i japë Rusisë një tjetër rrugëdalje për në Transnistria (pjesa e Moldavisë e pushtuar nga Rusia), ku aludohet se “ka fakte të shtypjes së popullatës rusishtfolëse”.

“Duket se qëllimet e pushtimit të Rusisë janë më të gjera nga sa ishte pranuar më parë”.

Kështu shkruan shefi i byrosë së Moskës për “Financial Times”, Max Seddon në Twitter, pas publikimit të lajmit.

Më herët, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergei Lavrov deklaroi “fazën tjetër të operacionit special në Ukrainë”.

Sipas Lavrov-it, qëllimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia ishte “çlirimi i plotë i republikave Donetsk dhe Luhansk”.

Zyra e Presidentit ukrainas vuri në dukje se deklarata e palës ruse për fazën e dytë të “operacionit special” në Ukrainë është e njëjtë me fjalët “ne do ta marrim Kievin për 72 orë”.

“Ukrainasve nuk u intereson se në cilën fazë të konfrontimit do shkatërrojnë armiqtë që nuk dinë të luftojnë”, shtoi këshilltari Mykhailo Podoliak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore