Lajme

Australi/ Facebook nuk lejon postimet e lajmeve


Kompania Facebook ka ndaluar postimet e lajmeve në platformën e saj. Kjo ka ardhur si pasojë e kodit të mediave, të propozuar nga Qeveria Federale Australiane.

Çfarë ndodhi?

Sipas kodit të ri të Qeverisë Federale Australiane, “kompanisë Facebook i kërkohet të paguajë botuesit nëse lajmet e tyre janë të postuara në faqen e saj të internetit”, shpjegon Josh Taylor, reporter i The Guardian në Australi.

Më tej, Taylor sqaron se kompania ka edhe penalitete të tjera nëse nuk i përmbahet kodit.

“Facebook mund të ndëshkohet me gjobë nëse lejon përmbajtjen nga disa autorë ndërkombëtarë dhe bllokon të tjerë vendas”.

Kjo është arsyeja pse nuk janë vetëm botuesit australianë, por të gjitha faqet e lajmeve ndërkombëtare të bllokuara në Australi, shprehet ai.

Sipas një zëdhënëse të Facebook-ut, kompania ka marrë këtë vendim për t’i qëndruar konkret përkufizimit të fjalës “lajm”.

“Meqenëse ligji nuk jep udhëzime të qarta për fjalën ‘lajm’, ne kemi zgjeruar spektrin e kuptimeve të tij, në mënyrë që të respektojmë ligjin siç është hartuar”.

Kush janë viktimat?

Asnjë nga organizatat australiane të lajmeve nuk janë në gjendje t’i postojnë lajmet në profilet e tyre në Facebook.

As përdoruesit e platformës nuk mund të krijojnë linke direkte me lajmet.

Bllokimi preku edhe një numër llogarish, të cilat nuk ishin faqe lajmesh. U bllokuan edhe adresat zyrtare të departamenteve shëndetësore, zjarrfikësve, Urgjencës së Australisë Perëndimore dhe disa organizatave bamirëse.

Shumica nga këto faqe u rikthyen në normalitet mesditën e së enjtes.

Pse po e bën Facebook këtë?

Zyrtarë të kompanisë besojnë se Facebook ofron shumë më tepër përfitime për kompanitë e lajmeve sesa këto të fundit i ofrojnë asaj, përgjigjet Taylor.

Kreu i Facebook në Australi dhe Zelandën e Re, Will Easton, shkroi se përmbajtja e lajmeve përbën më pak se 4% të përmbajtjes që njerëzit shohin në kryefaqen e tyre. Por, sipas medias sociale, në 2020, 5.1 miliardë klikime kanë shkuar drejt faqeve të lajmeve australiane direkt nga Facebook.

Duket se media sociale po përpiqet t’u tregojë kompanive mediatike se sa pak rëndësi kanë lajmet për Facebook-un dhe sa ndikim ka Facebook në trafikun që u bëhet faqeve të lajmeve.

Fenomeni i keqinformimit

“Nuk është sekret që keqinformimi përhapet lehtësisht në Facebook”, shkruan korrespondenti i The Guardian.

Kompania mediatike, Nine Entertainment, paralajmëroi se mungesa e lajmeve nga Facebook-u do ta përkeqësonte situatën.

Sipas autorit, i cili mbulon fushën e lirisë së informimit, problemi është pamundësia e korrigjimit të thënieve apo deklaratave të bëra nga disa grupe ekstreme. Kjo e rrezikon më tepër procesin e keqinformimit, shprehet Josh Taylor.

“Shumë nga keqinformimet që po përhapen në Facebook janë meme-t ose tekstet që nuk kapen nga bllokimi. Personat që duan të korrigjojnë keqinformatat e tilla nuk do të jenë në gjendje të përgjigjen me një link të një artikulli të lajmeve”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore