Sport

Aubameyang: Problemi nuk ishte me Arsenal-in, por vetëm me Arteta-n


Pierre-Emerick Aubameyang iu bashkua Barcelonës si një transferim i lirë nga Arsenal-i.

Barcelona mezi arriti ta regjistrojë sulmuesin nga Gaboni, i cili tanimë është prezantuar në Camp Nou, ku ai do të bartë fanellën me numër 25.

Gjatë prezantimit, Aubameyang u shpreh i lumtur për këtë lëvizje në karrierën e tij, por ai nuk harroi as të kaluarën e tij te Arsenal-i.

Ai tha se nuk kishte probleme me klubin, por vetëm me ish-trajnerin e tij, Mikel Arteta-n.

“Muajt ​​e mi të fundit në Arsenal ishin të komplikuar, por ky është futbolli. Nga ana ime, kurrë nuk kam dashur të bëj ndonjë gabim. Problemi im ishte vetëm me Arteta-n. Nuk kisha asnjë problem më të tjerët”, tha Aubameyang.

Deri në humbjen e Arsenal-it ndaj Everton-it në fillim të muajit dhjetor, Aubameyang kishte qenë kapiten i skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta.

Por, pasi u kthye me vonesë nga një udhëtim në Francë, ish-yllit të Borussia Dortmund-it iu hoq shiriti i kapitenit nga trajneri i tij.

Gjithashtu që nga ajo kohë, ai më nuk u inkuadrua në lojë nga trajneri spanjoll, duke bërë që rrugët mes tyre të ishin drejt ndarjes.

32 vjeçari më pas u transferua te Barcelona, me të cilët ka nënshkruar një kontratë deri në vitin 2025, marrëveshje e cila mund të ndërpritet në verën e vitit 2023, nëse Barça dëshiron.

Kujtojmë që Aubameyang bëri 163 paraqitje me fanellën e Arsenal-it në të gjitha garat, duke shënuar 92 gola dhe duke dhuruar 21 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore