Sport

Aubameyang pëson tmerrin në natën e kaluar, plaçkitet dhe kërcënohet me armë


Futbollisti i Barcelonës, Pierre Emerick Aubameyang, ka përjetuar një ngjarje të rëndë në natën e kaluar.

Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, në shtëpinë e Aubameyang kanë hyrë katër hajdutë dhe e kanë plaçkitur atë duke e kërcënuar me armë.

Mediat në Spanjë bëjnë të ditur se 33-vjeçari kishte qëndruar rreth 30 minuta në tokë, ku hajdutët ia kishin drejtuar armën në kokë.

Në momentin e plaçkitjes në shtëpi ndodheshin Aubameyang dhe gruaja e tij, ndërsa për dy fëmijët e tyre nuk raportohet asgjë.

Personat ende të paidentifikuar thuhet që kishin hyrë nga kopshti në shtëpinë e Aubameyang, e cila ndodhet në Castelldefels.

Gjërat e sakta nuk dihet se cilat janë vjedhur, por thuhet se ata kanë marrë bizhuteri nga kasaforta.

Në fund, hajnat kanë ikur nga shtëpia e sulmuesit të Barcelonës me një Audi A3 të bardhë, e cila ende nuk është identifikuar nga autoritetet në pronësi të kujt është.

Policia në Spanjë janë vënë në kërkim të hajdutëve, pasi Aubameyang menjëherë e ka lajmëruar rastin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore