Sport

Aubameyang këshillon Dembele-n të qëndrojë te Barcelona


Transferimi më i fundit i Barcelonës, Pierre-Emerick Aubameyang, dëshiron që Ousmane Dembele të qëndrojë te Barcelona.

Në një intervistë për “Mundo Deportivo”, Aubameyang tregoi se i kishte thënë Dembele-s “qëndro o burrë”.

Aubameyang tani ka folur se si Dembele ra në kontakt me të para transferimit të tij në Camp Nou dhe se si ai tashmë ka bërë hapa për ta bindur atë të qëndrojë në klub.

“E vërteta është se ai më dërgoi një mesazh për të mësuar se a do të vija në Barcelonë, por unë nuk doja ta shqetësoja pasi ai ishte në situatë jo të mirë dhe vazhduam te flisnim pak”, tha fillimisht Aubameyang për Mundo Deportivo .

Aubameyang dhe Dembele ishin bashkëlojtarë te Borussia Dortmund-i, kohë për të cilën futbollisti nga Gaboni shpreson që ta përsërisin edhe te Barcelona.

“Pata një kohë të mirë me të në Dortmund dhe ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Të them të drejtën jam shumë i lumtur që është këtu dhe kur mbërrita i thash ‘duhet të rrish o burrë’”, vazhdoi tutje sulmuesi nga Gaboni.

Kujtojmë që Dembele është në një situatë aspak komode me klubin e tij Barcelonën.

Kontrata e sulmuesit francez mbaron në verën e ardhshme dhe ai ka refuzuar disa oferta nga blaugranat për të qëndruar ende në Barcelonë.

Ai madje në ndeshjen e fundit nuk u prit aspak mirë nga tifozët, të cilët e vërshëllyen vazhdimisht kur ai kishte topin.

Ndërsa, sa i përket Aubameyang-ut, ai zhvilloi një ndeshje shumë të mirë ndaj Valencia-s, i cili shënoi tre gola në fitoren 1:4 të katalanasve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore