Shqipëria

“Aty ku paraqiten vështirësi, do të punohet nga ajri për zjarret”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në përcjelljen e përditësuar të situatës së zjarreve në vend, theksoi se në disa zona si fshati Thirrë, Mirditë – parashikohet edhe ndërhyrje nga ajri.

Ndërkaq, situata paraqitet e përmirësuar në Dukat, ku forcat operacionale po vijojnë punën për mbajtjen nën kontroll të flakëve nga toka.

Vatra e zjarrit në fshatin Munellë-Domgjon, në Fan të Mirditës janë izoluar në njërën anë, por ka përhapje në pjesën e sipërme, ku ndërhyrja bëhet e vështirë.

Më tej në njoftimin e kryeministrit, nënvizohet se edhe në Kukës në Majën e Rrunës, ndërhyrja vështirësohet për shkak të terrenit, por situata po mbahet nën kontroll, në mënyrë që të mos ketë përhapje.

Vatra të tjera, të cilat janë nën kontroll janë në luginën e Valbonës, në fshatin Klysyrë, në fshatin Gjorgos të Fierit, ku situata është përmirësuar.

Nuk ka rrezik për banesa dhe po mbahen nën monitorim vatrat; afër Kepit të Rodonit në Durrës, një vatër në fshatin Deshiran në bashkinë e Belshit, ku era po ndërlikon punën e forcave operacionale.

Një lajm i mirë është shuarja e zjarrit në fshatin Treblovë, në bashkinë Selenicë.

Një vatër në terren të vështirë është paraqitur në vendin e quajtur “Varri i Nures”, në kufi midis Përmetit dhe Skraparit në Bejkollarë, por nuk rrezikon përhapjen e flakëve. Po punohet për izolimin e saj.

Punonjësit e zjarrfikëses dhe emergjencave civile po punojnë për të mos lejuar përhapjen e flakëve në një vatër zjarri në zonat e mbrojtura Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli, në fshatin Bejkollarë, në Gjirokastër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore