Stil

Atletet e Michael Jordan shiten në ankand për 1.47 milionë dollarë


Një palë atlete, të cilat i ka mbajtur veshur gjatë një gare ylli amerikan i basketbollit, Michael Jordan, janë shitur me një shifër rekord prej 1.47 milionë dollarë në ankand.

Basketbollisti i përdori atletet e bardha me të kuqe Nike Air Ships, gjatë sezonit të tij të parë me Chicago Bulls në 1984.

Në këtë vit, ai dhe Nike filluan bashkëpunimin, për të krijuar markën e tij të firmës së rrobave dhe këpucëve.

Çmimi është më i larti i paguar ndonjëherë për këpucë të veshura gjatë një loje nga çdo sport.

Jordan shihet nga shumë njerëz si lojtari më i mirë në historinë e basketbollit.

Gardiani i gjuajtjes, i cili kaloi pjesën më të madhe të karrierës me Chicago Bulls, u bë një ikonë globale, pasi ndihmoi në ngritjen e profilit të NBA-së në mbarë botën.

Jordan, i cili doli në pension në 2003-shin, po ashtu u bë lojtari i parë miliarder në historinë e NBA-së.

“Ky rezultat rekord për Jordan Nike Air Ships afirmon vendin e Michael Jordan dhe ekskluzivitetin e Air Jordan në kulmin e tregut të atleteve”, tha Sotheby’s Brahm Wachter pas ankandit të së dielës në Las Vegas.

Atletet me nënshkrimin e basketbollistit u blenë nga Nick Fiorella, koleksionist i njohur.

Përpara ankandit, ato ishin vlerësuar të shiteshin nga 1 deri në 1.5 milionë dollarë.

Megjithatë, ato nuk janë atletet më të shtrenjta të shitura ndonjëherë. Ky rekord i përket reperit Kanye West, atletet e të cilit, Nike Air Yeezy, arritën në 1.8 milionë dollarë përmes një shitjeje private në prill.

Çmimi rekord për atletet është thyer disa herë vitet e fundit dhe tani tregu tërheq interes nga blerësit e përgjithshëm, si dhe koleksionistët kryesorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore