Bota

“Arti po vdes” – artistët afganë


Dy ditë pasi talebanët pushtuan Kabulin, artistja Sara mori pllakat prej terrakote që kishte pikturuar me imazhe, ku lavdëronte gratë frymëzuese afgane, dhe i hodhi përtokë.

“Nëpërmjet artit jam në gjendje të shpreh gjithçka që nuk mund të them me fjalë”, thotë 26-vjeçarja nga kryeqyteti.

“Në qendër të artit tim janë gratë dhe dhunën ndaj tyre”.

Përgjatë viteve 1996-2001, nën regjimin e talebanëve, gratë u shtypën brutalisht, muzika ishte e ndaluar, veprat e artit dhe të trashëgimisë u shkatërruan, duke përfshirë edhe statujat e lashta të Budës.

“Tani, unë nuk kam më të ardhme”, vijon ajo. Nën regjimin sërish të talebanëve, artistja i druhet faktit se puna e tyre po shkatërrohet.

“Shumë artistë kanë shkatërruar punën e tyre, apo edhe muzikantë, të cilët kanë thyer instrumentet e tyre”.

Sara është e tmerruar.

“Arti është jeta ime”, thotë ajo, ndërsa kërkoi që emri i saj i vërtetë të mos përdoret.

Kabuli ka ndryshuar në mënyrë dramatike.

Megjithatë, si një e re që u rrit mes mediave sociale, në një kryeqytet ku arti dhe kultura po lulëzonin, ajo planifikon ta përdorë artin për të protestuar kundër talebanëve.

Kështu i është bashkuar një kolektivi të piktorëve grafitë guerilë për të përhapur mesazhin e tyre.

“Dua të dal natën dhe të pikturoj artin e stencilëve, kundër talebanëve”, tha ajo.

Një artiste tjetër, 19-vjeçarja Maryam, emri i së cilës AFP ka ndryshuar gjithashtu për këtë histori, po mendon të postojë krijime digjitale anti-talebane në Instagram.

“Arti po vdes në Afganistan”, tha ajo. “Unë do të luftoj kundër talebanëve, jo me armë, por me punën time”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore