Lajme

Artan Zymberi refuzoi të trajtohet për një sëmundje, thonë nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë


Ilustrim

Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka njoftuar se Artan Zymberi, shtetas norvegjez me prejardhje nga Kosova, i cili ka vdekur në një burg në Serbi më 27 nëntor, “ka refuzuar të trajtohet për një sëmundje që kishte”, por ka refuzuar edhe ushqimin në disa raste.

“Me të dënuarin është diskutuar disa herë se duke refuzuar terapinë, me dashje rrezikon shëndetin”, thuhet në deklaratën e Ministrisë serbe të Drejtësisë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ministria serbe tha se kur Zymberi është marrë në mbajtje, ka deklaruar se është duke u trajtuar nga një “lloj i caktuar i sëmundjes”, por ajo tha se nuk mund të specifikojë më shumë, për shkak të Ligjit për të dhënat dhe mbrojtjen personale dhe Ligjit për kujdesin shëndetësor.

Ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post kanë treguar se kanë kontaktuar me autoritet serbe për vdekjen e shqiptarit Artan Zymberit më nënshtetësi norvegjeze në burgun e Mitrovicës Sremit në Serbi, për të cilin familja Zymberi thotë se është vrarë vetëm sepse kishte tatuazh në gjoks Adem Jasharin, emblemën e UÇK-së dhe Skënderbeun.

“Me të marrë njoftimin për rastin e Artan Zymberajt, të premten në mëngjes, më 2 dhjetor 2022, Misioni i Posaçëm i Republikës së Kosovës në Beograd ka kontaktuar me autoritetet serbe, respektivisht me Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për ta konfirmuar rastin”, thuhet në përgjigje.

Po ashtu në përgjigje theksohet se nga “Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë na është komunikuar se janë duke u përpjekur të marrin të dhënat e nevojshme nga autoritetet tjera serbe, por deri tani nuk na kanë ofruar ndonjë informatë me të cilën e konfirmojnë rastin”.

“Misioni i Posaçëm i Republikës së Kosovës në Beograd dhe ambasada e Republikës së Kosovës në Norvegji janë në kontakt dhe në dispozicion të familjes Zymberaj”.

Të martën, Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë përmes një përgjigje me shkrim për AP ka bërë të ditur se për vdekjen e Zymberit do të kërkojnë sqarime nga autoritet serbe për t’u njoftuar se çfarë ka ndodhur.

“Shërbimi i Jashtëm Norvegjez ka njoftuar të afërmit dhe ka ofruar ndihmë konsullore për familjen”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së norvegjeze. Autoritetet lokale janë përgjegjëse për kushtet e burgjeve në Serbi, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë e të burgosurve. Çdo pyetje në lidhje me rrethanat e vdekjes duhet t’u drejtohet autoriteteve serbe”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së së Norvegjisë.

Por, nuk kanë dhënë më shumë detaje për rastin në fjalë, pasi siç kanë thënë “për shkak të legjislacionit norvegjez për detyrën e fshehtësisë”.

“Shërbimi i Jashtëm nuk është në gjendje t’ia komentojë çështjet konsullore askujt tjetër përveç atyre që janë të përfshirë drejtpërdrejt”.

Pse u arrestuar Artan Zymberi?

Të hënën, Nexhat Zymberi, xhaxhai i të ndjerit, përmes një statusi në Facebook ka treguar se i ndjeri ka qenë i dënuar me tre vite dhe po planifikohej të transferohej në Norvegji.

“Çka po di unë, e kanë zënë me do tableta, hapa, nuk e di as vet me çfarë hapa dhe u burgos atje. Dhe madje e kanë dënuar me tre vjet”, ka shkruar ai.

“Ne po dyshojmë se ky ka pasur, tatuazh, Adem Jasharin në gjoks, Skënderbeun në tjetrën anë, shqiponjën, ka pasur edhe emblemën e UÇK-së. Ky nuk e ka ditur as gjuhën serbe, se ai u lind e rritë në Norvegji. Kanë dyshime se serbët gjithçka bëjnë”, ka shtuar ai.

Ndërsa Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga familjarët që sërish të bëhet obduksioni për të, deri në pasqyrimin e rrethanave të vdekjes së tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore