Lajme

Arrin pakoja e parë mbështetëse me automjete ushtarake nga Kosova për Ukrainën


Flamuri i Kosovës dhe i Ukrainës.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se pakoja e parë mbështetëse për Ukrainën me kamionë dhe automjete ushtarake ka arritur.

Lajmin e ka bërë të ditur Maqedonci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Shfrytëzoj rastin që t’ju njoftoj këtu që pako e parë mbështetëse me kamionë dhe automjete ushtarake tashme ka arritur në Ukrainë dhe jemi në fazën e përgatitjeve përfundimtare për dërgimin e pakos së dytë mbështetëse”, ka shkruar Maqedonci.

Tutje ai ka thënë se si pjesë e Grupit të Kontaktit për Ukrainën do të kujdesen që të ofrojmë kontributin tonë si shtet, brenda kapaciteve buxhetore e logjistike të Kosovës.

“Përgëzoj të gjithë kursantët për përfundimin me sukses të këtij trajnimi dhe jam i bindur që njohuritë e fituara nga ky trajnim do t’i vini në shërbim të popullit dhe vendit tuaj”.

Që nga fillimi i agresionit rus, Kosova ka qenë në krah të Ukrainës, duke strehuar disa gazetarë ukrainasë e duke iu bashkangjitur sanksioneve të perëndimit ndaj Rusisë.

Më 23 korrik të 2023-së, Qeveria e Kosovës kishte miratuar pakon e 11-të të sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte thënë se miratimi i kësaj pako është dëshmi e fuqishme e përkushtimit të Kosovës për drejtësi dhe paqe.

“Sot MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim zbatimin e pakos së 11 të sanksioneve të BE-së ndaj Federatës ruse dhe Bjellorusisë si dhe zbatimin e vendimit të BE. Më 23 qershor këshilli i BE-së miratoj masa të reja kufizuese ndaj Rusisë”, deklaroi ajo.

Ajo kishte sqaruar se sanksionet po vendosen për shkak të cenimit dhe integritetit të pavarësisë së Ukrainës.

Edhe më 10 maj Qeveria e Kosovës, kishte shtuar sanksionet ndaj Rusisë për të kundërshtuar agresionin e këtij shteti ndaj Ukrainës.

Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën 29 dhjetor 2023 – 2 janar 2024, Rusia ka nisur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit në qytetet ukrainase.

Kjo valë sulmesh ka rritur presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtje të Ukrainës, dhe rezervat e municioneve, për çka presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shtuar thirrjet ndaj aleatëve që t’i ndihmojnë Kievit.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore