Lajme

Arrin në Turqi 13-vjeçarja që u lëndua nga shpërthimi i bombolës së gazit në Mitrovicë


Ministria e Shëndetësisë së Kosovës përmes marrëveshjes me Ministrinë e Shëndetësisë të Turqisë ka siguruar trajtimin pa pagesë për pacienten 13 vjeçare, e cila ka pësuar djegie të renda trupore, si pasojë e një incidenti me bombol gazi, në Kçiq të Mitrovicës më 14 janar.

“Pacientja ka marrë trajtim dhe kujdes shëndetësor në QKUK, për më shumë se 10 ditë, mirëpo për shkak të gjendjes së rendë shëndetësore, me kërkesën e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti janë siguruar edhe mjetet për transport special ajror urgjent, ku pacientja tashme është hospitalizuar për trajtim në spitalin e Stambollit, në Turqi”, thuhet në njoftim të MSH-së.

Sipas informatave nga spitali turk, vajza 13 vjeçare tashmë ka filluar të marr trajtimin e nevojshëm

Ndryshe, Policia kishte njoftuar se shpërthimi i bombolës së gazit kishte ndodhur në bodrumin e një shtëpie në fshatin Kçiq.

“Katërmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen”, thuhej në njoftim.

Po ashtu, në njoftim bëhej e ditur se përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore