Lajme

Arrijnë në Kosovë 10 mijë doza të vaksinës antiCOVID, donacion nga Kroacia


Ilustrim

Në Kosova tashmë kanë arritur 10 mijë doza të vaksinës antiCOVID-19, donacion nga Kroacia.

Ky kontingjentit i vaksinave AstraZeneca ka arritur të mërkurën mbrëma në Kosovë.

Kështu ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

“Mbrëmë kanë arritur 10 mijë doza të vaksinës antiCOVID-19, të cilat janë donacion nga Kroacia”, tha Hoti.

Tri javë më parë, Kosova ishte furnizuar me 100.620 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech .

Ndryshe, më 6 maj në takimin me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, kryediplomati kroat Gordan Grlic-Radman pati konfirmuar se Kroacia ka siguruar 10 mijë vaksina anti-Covid për Kosovën.​

Marrëveshja për ardhjen e tyre është nënshkruar më 24 maj mes ministrit Arben Vitia dhe ambasadores kroate në Kosovë, Danijela Barishiq.

Në Kosovë, procesi i vaksinimit kundër COVID-19 ka nisur në fund të marsit, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinës së kompanisë AstraZeneca.

Fillimisht janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike. Aktualisht po vazhdon faza e dytë e procesit të imunizimit

Kosova aktualisht po imunizon popullatën me vaksinat e siguruara si donacion nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga vaksinat e dhuruara nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë Pfizer për blerjen e 1.2 milion dozave të vaksinës, të cilat do të arrijnë në vend deri në fundit të vitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore