Shqipëria

Arrestohet në Marok autori i dyshuar për vrasjen e Ardian Nikulajt


Policia e Shtetit bëri me dije të hënën e 8 majit se është kapur në Marok 28-vjeçari Ruben Saraiva, autori i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.

“Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez R. R. S., 28 vjeç”, shkruhet në njoftimin zyrtar të autoriteteve.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë.

Autoritetet vërejnë se po vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim.

Gjykata e Lezhës caktoi të enjten e 27 prillit masën e sigurisë “arrest në burg” e dhënë në mungesë ndaj gjashtë autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.

Akuzat e ngritura janë vrasje për gjakmarrje e vrasje të kryer në bashkëpunim.

Dy hetues britanikë mbërritën më herët në Prokurorinë e Lezhës, pas vrasjes së biznesmenit të njohur, i cili u ekzekutua më 19 prill me shtatë plumba.

Atentati u orkestrua nga shtetasi Edmond Haxhia, me të kontraktuar katër britanikë dhe një portugez.

Arsyeja pse hetuesit kishin zbritur në Lezhë, lidhet me faktin se Shqipëria ka kërkuar ekstradimin e të pesë shtetasve britanikë të përfshirë në ngjarje (përfshi Haxhian, i cili ka pasaportë angleze).

Nga ata, katër janë vënë nën arrest dhe çështja e tyre për ekstradimin pritet të vendoset nga autoritetet britanike.

Haxhia, porositës i vrasjes si edhe organizator i një grupi me pesë persona të tjerë në përbërje, e kishte planifikuar eliminimin e Nikulajt me detaje, ku personi që mori përsipër shkrepjen e armës, ishte shtetasi portugez, Ruben Saraiva.

Teksa, në detajet e reja të zbardhura, në Shqipëri askush nuk e kishte marrë përsipër ekzekutimin e biznesmenit, as për shuma deri në 500 mijë euro.

Vetë Nikulaj, prej muajsh e kishte rritur sigurinë rreth tij dhe lëvizte me një automjet të blinduar.

Gjyqtarja e distriktit të Londrës, Neeta Minhas, ka quajtur të drejtë kërkesën e Tiranës zyrtare për ekstradimin e tre të përfshirëve në ngjarje, duke vendosur edhe seancën e shqyrtimit më 5 maj.

Pas tyre, është kapur në Londër po ashtu shtetasja britanike Harriet Bridgeman, pjesë e grupit kriminal, mbi të cilën ende nuk ka një vendim.

Ndërsa, në rastin e Mithan, gjyqtarja Minhas ka vendosur po ashtu të mos e pranojë aplikimin për liri me kusht.

Në bazë ligjore ndërkaq, Shqipëria ka 45 ditë kohë për të paraqitur dosjen me provat dhe garancitë për gjyq të drejtë ndaj personave që do të ekstradohen.

Mbi këtë, ka qenë vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, i cili ka bërë me dije se dosjet e plota me provat e pakundërshtueshme është paraqitur tek organet britanike, gjë që më pas çoi edhe në arrestimin e katër shtetasve.

Zbardhja nga pala shqiptare

Gjashtë persona të përfshirë, pesë prej të cilëve të huaj, ku personi që ka shkrepur armën, një shtetas portugez, katër bashkëpunëtorë britanikë dhe një shtetas shqiptar (porositës i vrasjes), i pajisur edhe pasaportë britanike.

Edmond Haxhia është emri i porositës dhe “arkitektit” të ekzekutimit, një person i cili ka lidhje familjare me fisin Lekstakaj, me të cilët prej vitit 1997, Nikulaj ka pasur konflikte dhe ishin në hasmëri.

Arsyeja? Një pretendim fillestar për 1 mijë lekë karburant, i cili çoi në një seri vrasjesh dhe plagosjesh mes palëve në vitet 1997-1999.

Siç ka theksuar disa herë gjatë një konference për shtyp ndërkaq Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, gjakmarrja ka qenë arsyeja e kësaj ngjarjeje.

Ruben Saraiva ndërkohë, quhet portugezi, i cili e kreu atentatit sipas versionit zyrtar të Policisë dhe i cili më pas u largua nga vendi përmes doganës së Kapshticës.

Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman janë 4 britanikët që kanë ndihmuar për të kryer vrasjen.

Disa mbetje rrobash janë gjetur në një banesë në zonën e Gjadrit të Lezhës, ku do të shihet nëse kanë mbetje ADN-je, së bashku me disa gëzhoja, armë zjarri, telefona, të cilat kanë çuar identifikimin e vrasësit.

Nikulaj u vra me armë zjarri të mërkurën në biznesin e tij në Shëngjin, në bar-restorant “Coral” në pedonalen e qytetit bregdetar, që ka qenë në pronësi të viktimës.

Një person hyri në ambientet e barit me skafandër motori në kokë dhe pasi qëlloi shtatë herë 50-vjeçarin.

Siç është zbuluar të premten e 21 prillit, e gjithë familja e Ardian Nikulajt është ndjekur dhe monitoruar disa ditë përpara vrasjes së biznesmenit të njohur në zonën e Shëngjinit në Lezhë.

Rreth dy javë përpara vrasjes, një mjet i llojit “Hummer” është konstatuar në hyrje të pedonales së Shëngjinit.

Prej atij mjeti, dy persona kanë dalë, të cilët kanë qëndruar për një kohë të gjatë në vendin e njohur si “Lapidari” dhe më pas janë larguar.

Nga ana tjetër, tre ditë përpara vrasjes së Nikulajt, një mjet i tipit “Golf” është konstatuar nga vëllai i viktimës, duke hamendësuar se ai po ndiqej.

Pamjet e publikuara në media kanë treguar çastin kur autori i krimit, i ka drejtuar pistoletën Nikulajt, i cili qëndron i ulur në një nga tavolinat e barit.

Sipas dinamikës paraprake të ndërtuar nga grupi hetues, autori që qëlloi mbi biznesmenin, thuhet të ketë mbërritur në lokalin e Nikulaj, nga qyteti i Shkodrës.

Nikulaj ka pasur në pronësi disa hotele në zonën e Shëngjinit dhe Ranës së Hedhun.

Ai garoi si kandidat për deputet nën siglën e PSD-ës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 ku mori 97 vota dhe në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, ka pohuar se është dënuar me 4 muaj më 24 nëntor të vitit 2003 dhe më 1 dhjetor 2006 për armëmbajtje pa leje.

Në këto zgjedhje ndërkaq, ai ishte renditur i 23-ti në listën e PSD-së për Këshillin Bashkiak të Lezhës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore