Lajme

Arrestimi i shefit të KEK-ut, Abdixhiku: Ishte interes i “mafisë energjetike” që Blloku A5 të mos prodhonte rrymë


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka reaguar në lidhje me arrestimin e kreut të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për keqpërdorime në një tender prej 3.4 milionë euro.

Abdixhiku ka thënë se shkarkimi i kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut është i vonshëm, ngase blloku A5 i KEK-ut është jashtë funksionit tash e 10 muaj, prandaj Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi politike për mbrojtjen dhe lejimin e përfitimeve milionëshe të “mafisë energjetike”.

“Ishte interes i mafisë energjetike që ky bllok të mos prodhonte rrymë. Sepse, për aq kohë sa ishte jashtë funksionit, Kosova detyrohej të importonte energji. Vetëm gjatë 11 ditëve të para të prillit, Kosova kishte importuar plot 5.4 milion euro rrymë”.

“Nuk ka një biznes tjetër, ku 5.4 milionë euro mund të gjenerohen për vetëm 11 ditë. Mjaftueshëm për të mbuluar 45 mijë pensione, apo ndërtuar 9 çerdhe për fëmijë – të djegura për vetëm 11 ditë!”, shtoi Abdixhiku.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të mërkurën se shefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’; “Ushtrimi i ndikimit’’ dhe “Konflikti i interesit’’.

Krasniqi para kësaj pozite ishte drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa arrestimi i tij dhe dy personave të tjerë ka ardhur pas bastisjes së zyrave të KEK-ut pasditen e së mërkurës.

Ai po dyshohet për keqpërdorime në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për kryerjen e punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Krasniqi është dërguar në mbajtje për 48 orë. Atij i janë bastisur edhe dy banesat e tij, ku janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuter, një laptop, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore