Shqipëria

Arlind Qori kandidon për Bashkinë Tiranë


Pedagogu i Shkencave Politike, Arlind Qori, do të jetë garues për garën e kreut të Bashkisë Tiranë, nga radhët e një formacionit të ri politik të formuar, njohur si Lëvizja Bashkë.

Kështu është njoftuar nga vetë lëvizja politike, e cila ende nuk është regjistruar zyrtarisht në Gjykatën e Tiranës, pas një ngërçi të hasur me gjykatësin Agron Zhukri, i cili nuk e ka dhënë ende vendimin mbi çështjen.

Kandidaturën Qori e ka shpallur përpara simpatizantëve të lëvizjes, gjatë një takimi të zhvilluar me ta pasditen e 27 shkurtit.

“Kandidati i Lëvizjes BASHKË për kryetar të Bashkisë së Tiranës do të jetë Arlind Qori, me profesion pedagog i shkencës politike, aktivist prej 12 vjetësh dhe prej dhjetorit të vitit të shkuar edhe bartës i përgjegjësisë së kryetarit të Lëvizjes Bashkë”.

Kështu shkruhet në faqen zyrtare të lëvizjes në Facebook.

Sipas tyre, menjëherë pas regjistrimit si forcë politike në Gjykatë, do të kryhet edhe prezantimi i kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Ndërsa, është lajmëruar edhe një fushatë e mbledhjes së nënshkrimeve nga qytetarët, për të testuar në këtë mënyrë edhe një fuqi potenciale elektorale.

Nuk bëhet me dije gjithsesi, nëse Lëvizja Bashkë do të jetë po ashtu garuese në bashki të tjera apo jo.

Teksa, Qori, në këtë spektër, do të ketë përballë kryetarin aktual të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Kandidatin e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cili cilësohet edhe si garuesi më i fortë përballë Veliajt.

Po ashtu, ish-deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska, ka bërë me dije se do të jetë kandidate për bashkinë e kryeqytetit, duke zyrtarizuar një rikthim në politikë pas 10 viteve shkëputje.

Vetë Qori, përmes një postimi në median e tij sociale, ka bërë me dije edhe arsyet e këtij kandidimi.

“Gjithsesi çka më bindi në fund ishte vështirësia e garës dhe pritshmëria që ndaj Lëvizjes BASHKË do të nisë një fushatë sulmesh e shpifjesh të cilat askush më shumë se unë, më i përkëdheluri aktivist, nuk meriton t’i mbajë mbi shpinë e t’i durojë në fytyrë”, shkruan ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore