Shqipëria

Arben Ahmetaj reagon për herë të parë, zbulon kur do të flasë publikisht kundër akuzave të ngritura ndaj tij


Ka reaguar për herë të parë ish-zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj, lidhur me gjithë çështjen e krijuar rreth figurës së tij, sa i takon kërkesës së SPAK për arrestimin dhe tre akuzat që janë ngritur kundrejt ish-zyrtarit të lartë shqiptar.

Në një mesazh dërguar gazetarit Blendi Fevziu gjatë emisionit Opinion, Ahmetaj ka treguar lëvizjet e tija dhe se kur do të dalë publikisht të mbrohet ndaj akuzave të ngritura.

Ato përfshijnë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë.

Mesazhi i plotë i Ahmetajt:

“Do dal kur ju të lexoni dosjen.

Do dal kur ju të tregoni që akuzohem se kam pas njohje e shoqëri me një njeri që në atë kohë ka qenë njeri normal dhe në punët e veta.

Do dal kur të lexoni që akuzohem për korrupsion se ish-gruaja ime ka shit metra katrorë në treg të lirë.

Do dal kur të kuptohet që bashkëjetuesja ime dhe familja e saj ka blerë me transaksion të pastër bankar një pronë.

Do dal kur të kuptoni dhe lexoni dhe faktoni se Klodian Zoto s’ka qenë kurrë po kurrë pronar i asaj prone që të ishte në gjendje që ta falte apo dhuronte.

Do dal kur të lexoni gjithë letrat e mia në favor të interesit publik si ato që shyqyr që dolën sot.

Do dal kur e vërteta të ketë marrë rrugë.

Do dal kur ju të bëni pyetje të vërtetë se ku ka favorizuar Arben Ahmetaj.

Do dal kur ta kuptoni që s’kam pas lidhje me procedurën.

Atëherë do dal.

Do dal kur të lexoni se ato biseda të 2012 janë komplet impotente në aspektin e lobimit apo favorizimit, aq me tepër në opozitë”.

Ka qenë ky reagimi i plotë i Ahmetajt, i cili faktikisht lë të kuptojë se vështirë do të jetë ta shohim ish-zëvendëskryeministrin të mbrohet në person ndaj akuzave.

Ai është përfaqësuar nga avokatët e tij në dy seanca të Komisioni të Mandateve dhe Imunitetit pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku u mor edhe vendimi për lejimin e arrestimit të Ahmetajt.

Megjithatë, fjalën e fundit e thotë votimi i deputetëve, të cilët në një seancë të jashtëzakonshme të premten e 14 korrikut, me fillim në orën 10:00, do të vendosin edhe heqjen ose jo të imunitetit të tij.

E gjitha besohet gjithsesi se do të jetë një formalitet, duke pasur parasysh se lejimi për arrestimin, është marrë me vota unanime në Komisionin e Mandateve.

“Fati i Arben Ahmetajt”, të premten seanca e posaçme e Kuvendit

Arben Ahmetaj

Përfaqësuesit ligjorë të ish-zëvendës kryeministrit kanë konfirmuar largimin e tij jashtë Shqipërisë duke deklaruar se kjo ka ndodhur për “arsye familjare”.

“Jemi në dy avokatët e tij prandaj nuk ndodhet. Nuk kam informacion nuk dua ta ndaj me ju. Ahmetaj ka filluar të përballet me drejtësinë. Është e drejta e tij nëse do të vijë”, u përgjigjën fillimisht avokatët pyetjeve të mediave të pranishme.

Ata shtuan se mbajtën një qëndrim të kundërt nga ajo që kërkonte Prokuroria e Posaçme.

“Na u dha kohë jo më shumë se 24 orë për të parë 320 faqe të prokurorisë. Ne nuk vërejtëm kurrkund asnjë rresht që të justifikonte të interpretonte nevoja se pse prokuroria ka nevojë të bëjë kontroll të banesës. Jemi kundër arrestit të një deputeti për më tepër me atë materie që ka sjellë SPAK”, shtuan përfaqësuesit ligjorë të Ahmetajt.

Ahmetaj, pas një hetimi të gjatë nga SPAK, u akuzua për 3 vepra penale.

Ish zëvendës kryeministri i vendit është i dyshuar për “Mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

“Zëri i Amerikës” ka konfirmuar përmes burimeve zyrtare se ai është larguar nga kufiri tokësor i vendit, drejt Greqisë, të premten paradite, pak orë përpara se sa Prokuroria t’i dërgonte parlamentit, shkresën për arrestimin.

Burime pranë autoriteteve shqiptare i thanë po ashtu “Zërit të Amerikës”, se më pas Ahmetaj, ka prerë online një biletë avioni për në Itali, por që nuk e ka përdorur.

Burime të tjera të pakonfirmuara zyrtarisht, tregojnë se nga verifikimet e sinjalit të celularit të tij, momenti i fundit i vendndodhjes rezulton të ketë qenë Kanadaja.

Të njëjtin destinacion përmendi edhe kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, kur pyeti drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, por pa marrë një përgjigje prej tij.

Hetimi

Hetimi ndaj ish-zëvendës kryeministrit nisi për çështjen e inceneratorëve e tashmë është bashkuar me denoncimin e bërë ndaj tij për fshehje të ardhurash, pas kontrolleve që SPAK-u zhvilloi në vilën e bashkëjetueses së tij.

Nga dosja hetimore – të parë nga Albanian Post – vërehet se Ahmetaj ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë rreth 500 mijë euro, duke mbuluar natyrën e vërtetë të burimit të tyre.

Përtej hetimeve të përgjithshme lidhur me inceneratorët, ku disa ish-zyrtarë të lartë, ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, por edhe shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, procedimi penal mbi Ahmetajn, po trajtohet më vete.

Ahmetaj ka deklaruar se si ish-ministër i Ekonomisë dhe si ish-ministër i Financave nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët.

Por, në dosje thuhet se me shkresën e 27 qershorit 2016 Arben Ahmetaj atëherë ministër i Financave është shprehur se janë përmbushur në tërësi kriteret e përcaktuara nga VKM në lidhje me vijimin e procedurave të koncensionit.

Kjo, në rastin e projektit koncensionar të Fierit – miratim ky i ardhur pas pengesës që po i bëhej kësaj procedure nga ana e paraardhësit të tij, ish-ministrit, Shkëlqim Cani.

Po ashtu, Ahmetaj ka mohuar lidhjen me Zoton, për të cilin është shprehur se e njeh vetëm si biznesmen, ndërsa sa i takon vilës në Hamallaj ai ka deklaruar se ajo është pronë e familjes së bashkëjetueses.

Në vitin 2020, Zoto biznesmeni i shpallur në kërkim për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të parave, i shkroi një hoteli ku kishte bërë pagesë me kartën e tij të kreditit vite më parë dhe kërkoi që t’i konfirmonin pagesën e bërë në favor të ish-zëvendës kryeministrit.

Në email-e zbulohet se Zoto ka prenotuar ose paguar me kartën e tij të kreditit qëndrimet e Ahmetajt.

Në dosjen hetimore, janë dokumentuar disa pagesa për hotelet ku ka qëndruar Ahmetaj.

Aty shkruhet se të gjitha këto detaje janë përfituar nga kontrolli i e-mailit të Klodian Zotos, ku janë vërtetuar rezervimet që ka bërë për në emër të Arben Ahmetajt, por të gjitha janë paguar nga Klodian Zoto.

Konkretisht, Ahmetaj, si edhe ish-gruaja dhe bashkëjetuesja e tij, Eriola Hoxha përfituan 9 udhëtime të paguara nga Zoto nga vitit 2013 deri në vitin 2017.

Kryesisht hotelet në të cilat kanë qëndruar janë në vendet e BE-së, Itali, Austri, Francë e Gjermani.

Në dosjen e SPAK renditen disa udhëtime të Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit, të paktën që nga viti 2012 e kanë vazhduar edhe në vitin 2014 kur kanë marrë jetë procedurat e koncesionit për inceneratorët.

Dalja e tyre e parë së bashku, e cila është dokumentuar në dosjen e SPAK rezulton të jetë bërë më 23 nëntor 2012.

Pasuria

Fillimisht, ish-zyrtari i lartë ka përfituar një shumë prej 170 mijë e 480 euro në vitin 2016 dhe 2017, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.

Kjo, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj shtetasit Andi Boni (pagesë e kryer në përfundim nga shtetasi Helidon Begaj) në dy apartamente me sipërfaqe 124.15 m2, ndodhur në ZK3292, në vendin e quajtur Selitë, në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron”, sh,p.k.

Sipas SPAK-ut, kjo vlerë është paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Andi Boni dhe Helidon Begaj.

“Pasurinë truall plus ndërtesë me nr.pasurie 1/110 vol 12 faqja 26 ZK 1925 me sipërfaqe trualli 521.13 m2 e përfituar në vitin 2017 nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, në mënyrë të tërthortë nëpërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në pronësi të shtetases Erjola Hoxha, bashkëjetuese e personit nën hetim Arben Ahmetaj”, vijon dosja hetimore.

Në vijim të hetimeve, SPAK ka zbuluar se Ahmetaj ka përfituar shumën prej 130 mijë euro në vitin 2017 dhe 2018 duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.

Kjo, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj shtetasit Besmir Prifti, të një apartamenti me sipërfaqe, 178.68 m2 dhe një garazhi me sipërfaqe 21 m2, ndodhur në ZK 3292, në vendin e quajtur Selitë, në pallatin e ndërtuar nga shoqëri ‘Sheron” sh.p.k.

Sipas SPAK-ut, kjo vlerë është paguar sërish në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri dhe subjekti tregtar “Intefradet Technology Services”, sh.p,k nëpërmjet shtetasit Besmir Prifti.

Në vitin 2018, ish-zëvendës kryeministri ka përfituar shumën prej 140 mijë euro, duke u mbukuar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.

Kjo, përkundrejt një ‘shitje’, ndaj shtetases Sonila Goxhaj, të një apartamenti me sipërfaqe 178.68 m2 dhe një garazhi me sipërfaqe 21 m2 ndodhur në zonën në ZK 3292në vendin e quajtur Selitë në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron” sh.p.k.

SPAK vëren se kjo vlerë është paguar po ashtu në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Sonila Goxhaj, Sokol Meqemeja dhe shoqërisë “Frigo Food” sh.p.k.

Në vijim, Ahmetaj ka përfituar edhe shumën prej 34 mijë e 422 euro të përfituar në formën e shpenzimeve dhe pagesa hotelesh, udhëtimesh përgjatë periudhës 2013-2017.

Këto pagesa janë kryer drejtpërdrejt nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri për shtetasin Arben Ahmetaj apo të afërm të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore