Lajme

Aplikimi i Kosovës për statusin kandidat në BE – politikë reale e qeverisë, apo iluzion elektoral?


Ilustrim

Ishte 10 qershori i këtij viti kur Albin Kurti, në konferencën e përbashkët për media me kancelarin gjerman Olaf Scholz, tregoi planin e qeverisë së tij se “në fund të vitit do të aplikojnë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian”. Megjithatë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare theksojnë se prospekti i anëtarësimit të Kosovës në union është i zbehtë.

Kjo sipas tyre për dy arsye: e para konteksti gjeopolitik i prodhuar pas agresionit rus në Ukrainë, i cili e ka margjinalizuar edhe më tej çështjen e Kosovës dhe e dyta ngurtësia e pesë shteteve anëtare të BE-së për të mos e njohur si të pavarur Kosovën.

Për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Branislav Radeljiç, dëshira e Qeverisë së Kosovës për t’u anëtarësuar në BE nuk do të thotë se Kosova ka arritur të formësojë në tërësi shtetin e së drejtës, duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Nëse unë do të isha pjesë e Qeverisë së Kosovës, do të fokusohesha pikë së pari në shtetndërtimin e Kosovës, duke përfshirë performancën ekonomike dhe konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe, në mënyrë që të rinjtë më në fund të fillonin të besonin se kanë një të ardhme në Kosovë, në vend që të eksploronin rrugët për të ikur jashtë vendit”, ka thënë Radeljiç për Albanian Post.

Branislav Radeljiç

Në anën tjetër për profesorin e “London School of Economics and Political Science”,  Leon Hartwell, Kosova duhet të fillojë përgatitjet për anëtarësim në BE, edhe pse dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është barriera më e madhe drejtë rrugës evropiane.

“Mos harroni, Serbia e filloi procesin e anëtarësimit në BE në dhjetor 2009 dhe, siç e dini, bisedimet e anëtarësimit janë duke vazhduar. Pra, pse Kosova nuk duhet të bëjë të njëjtën gjë? Kosova nuk duhet të presë derisa dialogu të zgjidhë mosmarrëveshjen aktuale me Serbinë pasi kjo mund të marrë shumë kohë”, ka thënë Hartwell për Albanian Post.

Sipas Hartwell, me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, kryeministri Kurti do të sinjalizojë se Kosova është serioze për anëtarësim në strukturat ndërkombëtare.

“Më e rëndësishmja, ai gjithashtu do të sinjalizojë zyrtarisht se Kosova pajtohet me vlerat e BE-së, veçanërisht në lidhje me respektimin e demokracisë liberale. Në fund të fundit, Kurti do t’i demonstrojë Kosovës dhe BE-së qëllimin e tij, dhe në politikë, shanset tuaja për të arritur diçka janë shumë më të larta nëse keni qëllime të qarta në mendje”, ka shtuar ai.

Leon Hartwell

Me argumentimin e Hartwell, se Kosova nuk duhet të pret konkludimin e dialogut për të bërë hapa përpara në rrugën e saj drejtë integrimeve evropiane, pajtohet edhe profesori Radeljiç.

Sipas tij, dialogu në të vërtetë po përdoret për interesat e ngushtë dhe për konsum politikë të brendshëm nga politikanët e të dyja vendeve respektive.

“Sa më shumë që kalon koha, aq më shumë zhvlerësohet fuqia e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Dialogu ka të bëjë shumë me interesat e elitave në pushtet dhe shumë pak për të mirën e të dyja popujve”, shpjegon Radeljiç.

“Është e kuptueshme që asnjëra palë nuk dëshiron të dalë nga procesi si humbëse, pasi kjo do të nënkuptonte edhe humbjen e mbështetjes publike dhe rrjedhimisht humbjen e detyrës. Për të parandaluar një rezultat të tillë, ata më mirë do të krijonin lloj-lloj krizash dhe më pas do të kërkonin të paraqiteshin si paqebërës, duke e ditur se nuk ka gjasa të ndodhin sanksione reale”, ka vazhduar ai.

Radeljiç, i pyetur nga Albanian Post, për masat e reja të reciprocitet përkatësisht rreth targave dhe letërnjoftimeve të vendosura së fundmi nga ana e Qeverisë së Kosovës, ka deklaruar se janë të nevojshme sidomos për të luftuar nivelin e lartë të paligjshmërinë në Veriun e Kosovës në njërën anë dhe nevojën për konsolidimin institucional të Kosovës në anën tjetër.

“Qeveria e Kosovës është rraskapitur dhe ka humbur besimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Duke pasur parasysh këtë, Kosova po ndërmerr hapa që i konsideron të nevojshme, pavarësisht faktit se ato kanë të ngjarë të irritojnë palën serbe apo ndonjë palë tjetër të interesuar. Ndonëse nuk është për t’u habitur që serbët nuk duan ta njohin pavarësinë e Kosovës, e lëre më ta njohin atë në të ardhmen, është problem që serbët të jetojnë në shtetin e Kosovës, pa respektuar rregullat në shtetin në të cilën jetojnë”, ka thënë Radeljiç.

Kërkesa e Kosovës për reciprocitet në rastin e targave dhe kartave të identitet, edhe sipas Hartwell, është legjitime dhe e arsyeshme.

“Në dialog çështja nuk është Kosova. Përkundrazi, Serbia duhet të lëvizë gjilpërën sepse nuk ka bërë shumë në aspektin e zbatimit dhe ka shumë më tepër për të negociuar në tryezën e negociatave. Nëse presidenti Vuçiç dëshiron t’i japë fund mosmarrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës nesër, kjo do të ndodhë. Kosova megjithatë nuk ka shumë për të dhënë”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore