Gjykata Speciale

Anulohet edhe një seancë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës


Pjetër Shala.

Edhe një tjetër seancë ndaj ish eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, është anuluar.

Lajmi është bërë i ditur në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Gjatë kësaj jave ishte planifikuar që të mbahen pesë seanca në gjykimin ndaj Shalës, por janë mbajtur vetëm dy.

Përveç anulimit të seancës të së premte, paraprakisht janë anuluar edhe seanca e ditës së mërkurë dhe enjte.

Ndërsa, dëshmitari i tretë i mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës, Naser Koqinaj, ka deklaruar se gjatë luftës s’ka dëgjuar për ndonjë person me nofkën “Ujku”.

Naser Koqinaj, dëshmitar në rastin e Pjetër Shalës.

Gjatë pyetjeve të avokatit të palës mbrojtëse, Jean-Louis Gilissen, lidhur me atë se a e ka njohur ndonjë person me këtë nofkë ai ka mohuar këto pretendime.

Teksa, është pyetur edhe për qëndrimin e tij në Fabrikën e Metalit në Kukës se a ka dëgjuar për ndonjë person me emrin Pjetër Shala, por që ka refuzuar të përgjigjet.

Në seancën para kësaj dëshmitari Koqinaj, i është përgjigjur pyetjeve të palës mbrojtëse, të cilën e ka përfaqësuar avokati Jean-Louis Gilissen.

Koqinaj nga avokati Gilissen, ishte pyetur për periudhën nga fillimi i kyçjes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e deri në përfundim të luftës.

Dëshmitari Koqinaj, ka thënë se “në UÇK jam kyçur në vitin 1998 dhe kam vazhduar angazhimin në Magazinën numër 2 në Kukës, si person i caktuar për shpërndarjen e uniformave të UÇK-së deri në përfundim të luftës, ku bashkë me ushtarët gjermanë të KFOR-it jam kthyer në Kosovë, respektivisht në Prizren”.

Po ashtu, dëshmitari është pyetur se a kishte informacione se kush ishin Zijadin Hoxha dhe Bedri Dervishaj dhe për doktorin Ilir Rakaj.

Por që përgjigjet e Koqinaj në disa pyetje të avokatit të palës mbrojtëse s’janë dëgjuar.

Pjetër Shala u arrestua me 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge.

Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore