Lajme

Anulohen dy seanca për rastin e vrasjes së Ivanoviçit


Oliver Ivanoviç

Për rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç ishin planifikuar dy seanca për të mërkurën dhe të enjten, por për të njëjtat është marrë vendim që të anulohen.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është thënë se arsyeja e shtyrjes është kërkesa e avokatit Faruk Korenica për shtyrje.

Pasi që dëshmitarët të cilët i ka propozuar të dëgjoheshin për këto seanca nuk ka mundur t’i sigurojë për të dëshmuar.

Mirëpo, gjykimi në këtë rast ka disa herë që po shkon duke u zvarritur, pasi seancat janë shtyrë në disa raste.

Më 15 shkurt, gjykata Themelore në Prishtinë, ua ka ndërperë të gjitha masat e sigurisë të akuzuarve për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, në janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Deri ku ka arritur hetimi për vrasjen e Ivanoviçit?

Oliver Ivanoviç, që udhëhiqte nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), u vra më 16 janar 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Aktakuzë është ngritur kundër Nedelko Spasojeviç (oficer policie), Marko Roshiç (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviç (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviç), Dragisha Markoviç (oficer policie), Zharko Jovanoviç (oficer policie) dhe Rade Basara (oficer policie).

Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiç (shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiç (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviç (biznesmen).

Oliver Ivanoviç

Ndaj këtyre personave nuk është ngritur aktakuzë pasi ata ishin në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën e parë.

Në aktakuzë përmenden Radoiçiç dhe Vesellinoviç si “udhëheqës të një grupi kriminal” që planifikoi vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviç.

Më 2019, Kosova lëshoi një urdhërarrest për Radoiçiçin nën dyshimin se kishte lidhje me vrasjen e Ivanoviçit.

Mirëpo, ky fletarrest për Radoiçiçin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa ndonjë shpjegim, dhe që nga ajo kohë ai është parë disa herë në veri të Kosovës.

Të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviçit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore