Kosova

Anulimi i Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, Kurti: Serbia në vend të artistëve, fjalën ua dha huliganëve


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, të enjten, ka urdhëruar ndalimin e Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, i projektuar për të ndihmuar në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Serbia, në vlerësimin e Kurtit, me ndalimin e Festivalit ka shfaqur edhe njëherë “armiqësinë e saj të paepur ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me paqen dhe pajtimin”.

“Një festival kulturor me një histori dhjetëvjeçare të festimit të diversitetit dhe bashkimit të artistëve nga Kosova dhe Serbia, ‘Mirëdita, Dobar Dan’ u rrëmbye nga Vulin-i dhe MPB Daçiç-i, të cilët e deformuan atë, përtej njohjes, në një paradë groteske të urrejtjes dhe mesazhe diskriminuese. Në vend të artistëve, fjala iu dha grupeve të huliganëve”, ka shkruar Kurti në platformën sociale, X.

Kurti ndër të tjera ka potencuar se anulimi i Festivalit ka ardhur pikërisht një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka refuzuar ta nënshkruaj Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit.

“Pasi refuzoi edhe një herë nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të lehtësuar nga BE-ja, të miratuar nga SHBA, Serbia mbylli të enjten një nismë tjetër të sponsorizuar nga BE, ‘Mirëdita, Dobar Dan’”.

Ekipi nga Kosova e Festivalit “Mirëdita, dobar dan”, të enjten, është ndaluar nga Policia e Serbisë, 25 kilometra në hyrje të Beogradit, me arsyen se kanë urdhër që “mos të i lejojnë të vazhdojnë tutje”.

Pas rreth një ore zyrtarisht ekipi i përbërë nga gazetarë/kameramanë dhe stafi organizativ i festivalit janë kthyer mbrapshtë për në Kosovë.

Hapja e festivalit ishte paraparë të ndodhte në orën 18:30 të 27 qershorit në sheshin Dorqol.

Siç raportoi mediumi opozitar serb, Danas, rreth 150 huliganë, anëtarë të organizatave të ndryshme ekstremiste, të enjten, në vigjilje të hapjes së Festivalit kanë organizuar një protestë kundër mbajtjes së këtij evenimenti kulturor.

Në protestë janë parë edhe simbole shoviniste serbe, ku ndër të tjera edhe një pankart me flamurin e Serbisë e vizatuar në hartën e Kosovës.

Sipas raportimeve ky grup protestuesish janë dëgjuar duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore