Lajme

Andrej Pelnkoviç fiton zgjedhjet në Kroaci


Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kroacisë, me afër 100 për qind të votave të numëruara, është bërë e qartë se partia e kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviç, është bindshëm fituese e zgjedhjeve të 17 prillit, e ndjekur nga koalicioni që udhëhiqet nga Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç.

Shifrat tregojnë se partia e Plenkoviç-it ka fituar 61 mandate deputetësh, ndërsa SDP-ja e Milanoviç-it 42 sosh.

“Lëvizja Atdheu” renditet e treta me 14 ulëse të fituara, derisa partia “Most” ka siguruar 10 ulëse, e pasuar nga “Mozemo” me 10.

Ndërsa, IDS-ja dhe platforma “Nezavisna Sever” fituan nga dy mandate, teksa koalicioni “Fokus-Republika” fitoi vetëm një.

Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, ka reaguar edhe kryeministri Plenkoviç, njëherit fituesi i zgjedhjeve parlamentare për herë të tretë radhazi, ku ka falënderuar të gjithë qytetarët kroatë për besimin.

“Duke u kujdesur për interesat e shtetit kroat, prioriteti ynë është të formojmë sa më shpejt një qeveri të qëndrueshme dhe të fortë. Me mbështetjen e qytetarëve jemi të gatshëm të punojmë për përmirësimin e viteve të ardhshme!”, ka thënë ndër të tjera ai në një fjalim në orët e vona të së mërkurës.

Nga ana tjetër, deri më tani nuk ka pasur reagim nga Zoran Milanoviç.

Ndryshe, rreth 450,000 votues, më shumë se katër vjet më parë, votuan të mërkurën pasdite në zgjedhjet e 11-ta parlamentare të Kroacisë.

Fushata zgjedhore ka qenë e ashpër në mes të Plenkoviç-it dhe Milanoviç-it me akuza dhe kundër akuza ndaj njëri tjetrit.

Plenkoviç ka akuzuar vazhdimisht Milanoviç-in se është “pro-rus” për shkak të kritikave të tij për mbështetjen e BE-së për Ukrainën kundër pushtimit të Rusisë, si dhe kundërshtimin e tij për trajnimin e ushtarëve ukrainas në Kroaci, e cila është një anëtare e NATO-s.

Nga ana tjetër, Milanoviç u kërkonte qytetarëve kroatë që “të dalin dhe të votojnë për këdo përveç HDZ”, derisa Plenkoviç-in e cilësonte si “kumbarin e krimit”.

Parlamenti i Kroacisë ka 151 deputetë, ndërsa për ta formuar qeverinë e re duhet shumicë e thjesht, pra një më shumë gjysma e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore