Lajme

Analizë: Realiteti i marrëveshjes me Serbinë do të jetë i pakëndshëm për Kurtin


Albin Kurti

Për ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe çështjeve të sigurisë, i cili është themelues dhe drejtor i Institutit Ndërkombëtarë të Sigurisë me seli në Beograd, Organ Dragash, Rusia qëndron direk ose indirekt pas çdo politike dhe veprimi nga ku kundërshtohet kompromisi mes shqiptarëve dhe serbëve.

Në një shkrim të ti autorial për gazetën “Euractiv” të titulluar “Një agjendë për Kosovën nga ferri”, Dragash argumenton se të shumtë janë ata që duan që negociatat të shemben dhe të kthehen në pozicione të vjetra.

“Grupi shkatërrues nuk do të ulë presionin kur arrihet një kompromis. Vetëm kur të fillojë zbatimi i zgjidhjeve të dakorduara, do të shohim fuqinë e tyre të vërtetë të dëmshme”, shkruan Dragash.

Në Kosovë, sipas Dragash, gjithçka është e qartë dhe e drejtpërdrejtë – Kosova është shtet i pavarur, Serbia duhet ta njohë brenda kufijve ekzistues dhe më pastaj zgjidhet problemi.

“Kurti vetëm sa e intensifikoi këtë platformë që ekzistonte para tij, duke besuar se mund ta zbatonte menjëherë, qoftë edhe me dhunë. Për këtë arsye përplasja me realitetin do të jetë shumë e pakëndshme për Kurtin dhe Prishtinën sepse do të jetë shumë larg asaj që u kanë premtuar votuesve të tyre”, argumenton më tej Dragash.

Në Serbi, shton Dragash, gjërat janë më ndryshe. Sipas tij krerët shtetërorë në Beograd lëshohen në deklarata të forta, duke pretenduar se Kosova është Serbi dhe se shqiptarët dhe bota duhet të pranojë që shteti serb duhet të kthehet në krahinën e tij dhe problemi zgjidhet.

“Blloku që kundërshton politikën e Aleksandër Vuçiç’it në lidhje me Kosovën është ideologjikisht shumë i gjallë. Në muajt e fundit është forcuar grupimi i partive të djathta rreth Programit për riintegrimin e Kosovës në sistemin kushtetues dhe juridik të Serbisë. Katër parti parlamentare konservatore e përqafuan këtë program dhe tre prej tyre formuan një bllok në parlament për t’ia kthyer Kosovën Serbisë”.

Orhan Dragash

Opozitarët, të cilët nuk iu bashkuan këtij blloku, shkruan Dragash, kryesisht i qëndruan larg çështjes së Kosovës. Ata nuk kanë një politikë alternative ndaj asaj zyrtare, por as nuk duan ta mbështesin sepse e zbaton armiku kryesor politik.

“Kjo çon në situatën që në skenën politike serbe, përveç Vuçiç’it dhe koalicionit të tij, asnjë parti apo grup i vetëm nuk e mbështet procesin e negociatave të udhëhequr nga SHBA-ja dhe BE-ja. As ato parti nuk duan që Serbia të jetë pjesë e strukturave perëndimore. Ngurrimi i tyre për të mbështetur procesin e negociatave i vë ata në të njëjtin pozicion si konservatorët, të cilët thonë me zë të lartë – Kosova është Serbi dhe nuk ka asnjë lëshim për këtë”.

Plani për riintegrimin e Kosovës në Serbi, sipas Dragash, i cili përkrahet nga 31 deputetë në Kuvendin e Serbisë, të bashkuar në një koalicion partish të krahut të djathtë, është në harmoni me strategjinë e Kremlini, i cili po kërkon një hapësirë për të hapur një konflikt të ri në zonën evropiane, i cili do të largonte vëmendjen nga pushtimi rus i Ukrainës.

“Rusia nuk dëshiron që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ketë sukses dhe ekzistojnë disa arsye. Një marrëveshje do të nënkuptonte që edhe Serbia edhe Kosova të kenë një korsi shumë më të shpejtë për integrim në Bashkimin Evropian (dhe Prishtina në NATO). Marrëveshja e arritur pa pjesëmarrjen e Rusisë do të ishte një akt armiqësor, pasi arkitektët e saj do të ishin BE-ja dhe SHBA-të, të cilat tashmë janë formalisht armiqtë e Rusisë”.

“Kjo do të thotë se BE-ja dhe NATO-ja do të kontrollojnë zbatimin e marrëveshjes dhe do t’i japin stimuj të gjerë Serbisë dhe Kosovës për t’i ‘tretur’ më lehtë zgjidhjet e reja, të cilat asnjëra palë nuk do t’i pëlqejë plotësisht. Kjo do të thotë se një pjesë e rëndësishme e Ballkanit, për momentin ende një vatër konflikti, do të kthehej në mënyrë të pakthyeshme drejt Perëndimit, ndërsa Rusia mbetet dorëshkurtër dhe pa leva në rajon”.

Prandaj shton më tej ai tensionet po acarohen, sepse dialogu po përshpejtohet dhe zgjidhja po afrohet.

“Alternativa pro-ruse ndaj dialogut të Kosovës mori një format politik në Serbi në formën e një koalicioni parlamentar tre-partiak. Grupet ekstremiste të ngarkuara me operacionet e tipit të trazirave janë në terren. Dhe gjithçka shoqërohet me retorikë të shtuar nga zyrtarët e Moskës, për të cilët Kosova duket të jetë një çështje shumë e rëndësishme ndërkombëtare, në një kohë kur duke u përpjekur të ndryshojnë hartën e Ukrainës, ata janë të izoluar nga pjesa më e madhe e botës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore