Kosova

Analiza problematike e AShAK, reagon Kraja: Po bëhet fushatë kundër meje dhe institucionit që përfaqësoj


Mehmet Kraja

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, i ka quajtur “fushatë kundër meje dhe institucionit që përfaqësoj” reagimet e publikut dhe raportimet e mediave ndaj një analize që ishte shkruar nga AShAK në muajin janar të këtij viti e titulluar “Synimet Destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”.

Analiza e AShAK ka nxitur reagime edhe të politikanëve.

Sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, analiza e publikuar rishtazi nga vetë Kraja, ani pse e njëjta ishte përgatitur në fillim të vitit nuk ishte asgjë më shumë se një “pamflet politik e antishqiptar”, meqë teksti i analizës ishte pa referenca, e mbushur me mllef e pasaktësi.

Megjithatë për Krajën analiza në fjalë “denonconte të gjitha veprimet subversive të shtetit fqinj, përshirë edhe ndërhyrjet e saj në Gjykatën Speciale”.

“Meqë portalet janë duke e manipuluar opinionin, madje duke nxitur reagimin edhe të ndonjë lideri të partive politike, dua t’i inkurajoj lexuesit që analizën e Akademisë ta lexojnë të plotë, të mos krijojnë bindje të gabuara dhe të mos bëhen pjesë e fushatave denigruese”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Në analizën e AShAK ndër të tjera kritikoheshin ish-qeveritë e kaluara, ish-presidenti Hashim Thaçi, Shqipëria dhe kryeministri Edi Rama.

AShAK, që është institucioni më i lartë shkencor në Kosovë, në këtë analizë konkludonte se Gjykata Speciale u krijua nën trysninë e faktorit ndërkombëtar, ndërkohë që akuzonte ish-Presidentin Thaçi si “ideatori” i ndarjes së Kosovës.

Pa asnjë referencë shkencore, AShAK, kishte shkruar më tej se Kosova ka bërë gabim të madh që pranoi njohje të sponsorizuara në mënyrë korruptive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore