Bota

Amerika ka 615 miliarderë, por vetëm shtatë janë me ngjyrë


Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi me numrin e dytë më të madh në botë për miliarderë, plot 615 të tillë. Por pavarësisht kësaj, vetëm shtatë prej tyre janë me ngjyrë. Nga këta, vetëm njëra është grua.

Revista Forbes nxorri listën e saj të përvitshme të miliarderëve në botë. Fakti që spikat më shumë, është numri shumë i ulët i miliarderëve amerikanë me ngjyrë.

Një në tre miliarderë janë të tillë për shkak të pasurive që kanë trashëguar. Ndërkohë të tjerët e kanë ngritur vetë perandorinë e tyre. Për ta sigurisht kjo ka qenë e vështirë, por për afro-amerikanët, është një mision akoma më i vështirë. Pjesa më e madhe, vijnë nga bota e spektaklit dhe sportit.

Por cilët janë shtatë personalitetet me ngjyrë që mposhtën çdo vështirësi dhe u bënë miliarderë?

Jay-Z – Pasuria 1 miliard dollarë

Këngëtari i njohur amerikan e nisi gjithçka nga rruga. Ai në vitet 90’ publikoi albumin e tij të parë, duke u bërë i njohur dhe duke ngjitur shkallët e karrierës. Shpejt, Jay-Z u bë ndër njerëzit më influencues në industrinë muzikore dhe personalitet publik në New York.

Duke hapur studion e tij muzikore, ai u kthye në një ndër producentët më të mirë në amerikë. Ndër vite ka zbuluar talente të shumta, ku vlen të përmendet Rihanna.

Tyler Perry – Pasuria 1 miliard dollarë

Aktori, shkrimtari, producenti dhe regjisori Tyler Perry është një rast i veçantë në këtë listë. Ndër vite industria Hollywood-iane ka qenë diskriminuese ndaj komunitetit afro-amerikan. Perry ka arritur jo vetëm të tejkalojë paragjykimet, por edhe të kthehet ndër njerëzit më influencues në industrinë e filmit.

Kanye West – Pasuria 1.3 miliardë dollarë

West është këngëtari i dytë në listën afro-amerikane të miliarderëve të Forbes. Përtej suksesit të tij në botën e muzikën, pjesa më e madhe e pasurisë vjen nga linja e tij e atleteve Yeezy. Pavarësisht problemeve të shumta me të cilat West është përballur vitet e fundit, pasuria e tij vazhdon të rritet.

Michael Jordan – Pasuria 2.1 miliardë dollarë

Ish-basketbollisti i njohur amerikan solli revolucion jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Ai themeloi në bashkëpunim me Nike kompaninë e tij të atleteve. Ai grumbulloi 90 milionë dollarë gjatë karrierës për Chicago Bulls. Falë investimit të kësaj shume, sot atletet Jordan janë ndër më të shiturat në botë.

Oprah Winfrey – Pasuria 2.6 miliardë dollarë

Winfrey është e vetmja grua me ngjyrë e listës. Ajo e ka pasurinë falë figurës së saj në emisionet televizive. Gjithashtu Oprah ka nisur median e saj, OWN, në 2011-ën. Prezantuesja mbahet mend në historinë televizive amerikane pasi dhuroi në një emision të sajin vetura të reja për të gjithë audiencën e pranishme.

David Steward: Pasuria 3.5 miliardë dollarë

Steward është bashkëthemelues i kompanisë informatike World Wide Technology (WWT). Kjo sipërmarrje ka për klientë kompani gjigande si Verizon dhe Citi. Ata gjithashtu i ofrojnë shërbime qeverisë federale amerikane.

Robert F. Smith – Pasuria 5 miliardë dollarë

Smith është afro-amerikani më i pasur në SHBA. Ai është themelues dhe drejtor ekzekutiv i Vista Equity Partners, një ndër firmat private më të suksesshme në Amerikë. Ai nuk njihet gjerësisht në botë pasi shquhet për qetësinë e tij dhe mospasjen e nevojës për vëmendje./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore