Zgjedhjet në Shqipëri

Taulant Balla reagon pas takimit me ambasadorin italian në Shqipëri


Ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, të enjten e 15 prillit, zhvilloi një vizitë në qytetin e Elbasanit, ku takoi drejtuesin politik të Partisë Socialiste të këtij qarku, Taulant Ballën.

Takimi u zhvillua në selinë e PS-së, dhe në fokus të bisedimeve ishin zgjedhjet parlamentare në Shqipëri më 25 prill.

Balla në një deklaratë për mediat tha se gjatë takimit u diskutua për sigurimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe demokratike. Duhet të marrim të gjitha përgjegjësitë për të garantuar një proces të rregullt”.

Ai shtoi duke thënë se partia që do të humbë zgjedhjet duhet të pranojë rezultatin.

“PD duhet të heqë dorë nga mosnjohja e rezultatit”.

Drejtuesi i qarkut theksoi faktin se zgjedhjet do të përcaktojnë fatin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit Evropian.

“Sapo të mbyllim zgjedhjet, ne presim datën për Konferencën e Parë Ndërqeveritare”.

Nga ana tjetër, Bucci ka shprehur domosdoshmërinë e zgjedhjeve ku populli vendos fatin se kush do t’i qeverisë.

“Kam ardhur këtu, sepse zgjedhjet për një demokraci janë një moment i shenjtë, një moment i rëndësishëm, momenti kur populli vendos se kush do qe ta drejtoje”.

Ai theksoi faktin se Shqipëria është një vend i veçantë për Italinë.

Më herët Bucci zhvilloi një takim me zyrtarë të policisë dhe nënprefektin në Elbasan.

Po ashtu Balla ka zhvilluar takime të rëndësishme në kuadër të zgjedhjeve me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim dhe ambasadorin anglez, Duncan Norman.

Kjo është vizita e tretë e një ambasadori të lartë në këtë qark. Pasi cilësohet si një zonë e nxehtë elektorale.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore