Lajme

Ambasadori Hovenier: Qeveria e SHBA-ve ka një kërkesë për Kosovën – Shtyjeni implementimin e vendimeve për një muaj


Jeff Hovenier

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë asnjë problem me vendimet e Qeverisë për reciprocitet me tabelat dhe gjithashtu pajisjen me një dokument, siç bën Serbia, të shtetasve serbë që futen nga Serbia në Kosovë. Megjithatë, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të rishqyrtojë edhe një herë mënyrën e implementimit, prandaj “Qeveria amerikane kërkon të shtyhen këto dy vendime për 30 ditë”.

Këto deklarime, Hovenier i ka bërë pas një takimi që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, presidenten, Vjosa Osmani dhe dy zëvendës-kryeministrat, Besnik Bislimi e Donika Gërvalla.

“Ambasada amerikane nuk ka pasur ankesa apo shqetësime për këto vendime. Por, kemi pasur një dialog me qeverinë sa i përket implementimit të këtyre vendimeve dhe një nga arsyet përse jam sonte këtu është që të kem një bisedë me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrat. Për të dhënë një kërkesë të qartë nga qeveria e SHBA-ve. Ta shtyni implementim e këtyre vendimeve për 30 ditë”, tha ambasadori amerikan në konferencë për media.

Siç deklaroi diplomati amerikan, “shtyrja 30 ditore do të jetë e rëndësishme sepse duket se ka jo informim, keqkuptim dhe keqinformim për këto vendime dhe ka ndërlikime të tjera”.

“Shpresojmë të punojmë me këtë qeveri, me kolegët tanë nga BE që të sigurohemi se mund të ofrojmë të kuptuar më të mirë të këtyre vendimeve”.

Ai e ka bërë të qartë se nuk kërkon ndryshim të vendimeve, por thjesht shtyrje të zbatimit.

“Nuk po kërkojmë që këto vendime të rishikohen. Dua të theksoj se gjithashtu jam i shqetësuar se disa individ kanë vendosur t’i kundërshtojnë këto vendime duke vendosur barrikada në rrugë dhe duke e penguar lirinë e lëvizjes. Nuk e inkurajmë këtë veprim dhe nuk e mbështesim. Metoda është përmes dialogut qytetar. E bëmë këtë kërkesë ndaj qeverisë, tash po presim vendimin e tyre”, pohoi ai.

I pyetur nga gazetarët se cili ishte disponimi i Kurtit për ta pranuar kërkesën, ai tha se “do ta lë qeverinë të flas vetë”.

Qeveria pranon kërkesën amerikane, shtynë zbatimin e vendimit për 30 ditë

Deklarimi i Plotë

Kam ardhur këtu sepse jam i shqetësuar si të gjithë të tjerët me situatën sonte. Fillimisht do të flas për vendimet e qeverisë së Kosovë, për dokumentin e lejimit të futjes nga Serbia në Kosovë dhe për tabelat. Sipas SHBA-ve, të dy vendimet janë në rregull dhe në pajtim me marrëveshjet në Bruksel.

Ambasada amerikane nuk ka pasur ankesa apo shqetësime për këto vendime. Kemi pasur një dialog me qeverinë sa i përket implementimit të këtyre vendimeve dhe një nga arsyet përse jam sonte këtu është që të kem një bisedë me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrat. Për të dhënë një kërkesë të qartë nga qeveria e SHBA-ve. Ta shtyni implementim e këtyre vendimeve për 30 ditë.

Shtyrja 30 ditore do të jetë e rëndësishme, sepse duket se ka jo informim, keqkuptim dhe keqinformim për këto vendime dhe ka ndërlikime të tjera.

Shpresojmë të punojmë me këtë qeveri, me kolegët tanë nga BE që të sigurohemi se mund të ofrojmë të kuptuar më të mirë të këtyre vendimeve

Nuk po kërkojmë që këto vendime të rishikohen. Dua të theksoj se gjithashtu jam i shqetësuar se disa individ kanë vendosur t’i kundërshtojnë këto vendime duke vendosur barrikada në rrugë dhe duke e penguar lirinë e lëvizjes.

Nuk e inkurajojmë këtë veprim dhe nuk e mbështesim. Metoda është përmes dialogut qytetar.

E bëmë këtë kërkesë ndaj qeverisë, tash po presim vendimin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore