Kosova

Ambasadori francez në Beograd: Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë raportet


Ambasadori francez ne Serbi, Pierre Koshar.

Ambasadori francez në Serbi, Pierre Koshar, në festën e organizuar për nder të Ditës së Bastijes, këtë të premte, ka bërë thirrje që Serbia dhe Kosova t’i normalizojnë raportet, pas tensioneve të krijuar në Veri.

Popullata atje, pohoi diplomati francez “po vuan nga krizat e përsëritura”.

Në prizmin e shtetit që ai përfaqëson, Koshar theksoi se “është e rëndësishme të arrihet përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Jashtë kësaj, diplomati francez ka potencuar se “marrëdhëniet historike vëllazërore” në mes të Francës dhe Serbisë “janë frymëzim për veprim të përditshëm”, duke shtuar se “me këtë ndjenjë vëllazërie, Franca dëshiron ta ndihmojë Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së”.

“E di që Serbia, ashtu si Franca, është e lidhur me pavarësinë dhe identitetin e saj, por së bashku në Bashkimin Evropian ne mund ta mbrojmë edhe më mirë pavarësinë dhe identitetin e Serbisë dhe Francës”, shtoi ai, transmetojnë mediat serbe.

Ndërkaq, ambasadori francez në Beograd bëri thirrje që Serbia të solidarizohet me BE-në për atë se çka është duke ndodhur momentalisht në kontinentin e vjetër, duke iu referuar agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, kjo pasi që Serbia është nga vendet e pakta në Evropë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë.

“Ne e dimë për lidhjet që ekzistojnë mes popullit serb dhe rus, populli francez dhe rus gjithashtu kanë lidhjet e tyre, por ne duam që Serbia të jetë vendimtare përballë asaj që është bërë një regjim rus që po çon në katastrofë”.

Si u krijuan tensionet në Veri?

Tensionet në Veri të Kosovës janë krijuar që nga 26 maji kur Qeveria e Kosovës vendosi që t’i instalojë në zyrat e tyre katër kryetarët e komunave Veriore, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit – të cilat ishin bojkotuar nga serbët që janë shumicë në atë pjesë – çka kishte shkaktuar reagim nga serbët – të cilët ishin tejet të ashpër në kundërshtimet e tyre.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë në katër komunat Veriore, kryesisht në Zveçan kishin sulmuar ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur xhandarmëria sere kidnapoi tre policë të Kosovës, më 14 qershorit në pikën kufitare. Policët e Kosovës do të liroheshin vetëm pas presionit të madh nga bashkësia ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore