Lajme

Ambasadori amerikan: S’do të heshtim për politikanët e korruptuar në Bosnje dhe Hercegovinë


Ambasadori amerikan në Bosnje dhe Hercegovinë, Michael Murphy, i është kundërpërgjigjur akuzave të liderit të Republika Srpska, Milorad Dodik, pasi ky fundit mori një vendim për të ndërprerë komunikimin me ambasadat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në BeH, të cilat i akuzon për “ndërhyrje në punët e brendshme”.

Ambasadori Murphy theksoi në një intervistë për mediumin boshnjak Nezavisne Novine se SHBA-ja nuk do të heqë dorë nga aktivitetet e saj në të gjithë territorin e Bosnjë-Hercegovinës dhe ai akuzoi Dodik-un për përfshirje në të pavërteta dhe manipulime dhe se qëllimi i tij, “është të qëndrojë në pushtet”.

Në veçanti, ai i bëri thirrje Dodik-ut, të ndryshoi sepse tani është vetëm një “politikan që premton” dhe një person që me veprimet e të cilit vetëm komplikohet dhe ngadalësohet rruga e BeH drejt anëtarësimit në BE.

“Sot, Dodik përdor popullzimin dhe ksenofobinë për të ndjekur interesat e tij të përcaktuara ngushtë dhe për të udhëhequr RS në drejtimin e gabuar”, tha Murphy.

“Kur aktivitetet e politikanëve në Banja Luka dhe Sarajevë apo kudo tjetër penguan mbështetjen tonë për një BeH demokratike dhe të begatë, ne bëmë një deklaratë të qartë për këtë”, shtoi ai.

Më 23 mars, Republika Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – ka miratuar vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit me diplomatët amerikanë dhe ata britanikë, kinse për shkak të “aktiviteteve kundër Marrëveshjes së Dejtonit (1995)”.

“Qeveria e Republikës Srpska deklaron se RS është e detyruar të ndërpresë bashkëpunimin me diplomatët e të dy ambasadave dhe në këtë drejtim kërkon nga institucionet e RS, përfaqësuesit e Republikës Srpska në institucionet e përbashkëta në nivel të BeH, organet e vetëqeverisjes lokale në Republika Srpska, si dhe autoritetet e tjera publike të mos bashkëpunojnë me ambasadat e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe”, thuhet në vendim.

Republika Srpska ndërpret bashkëpunimin me ambasadorët e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore