Lajme

Ambasadori amerikan në Rusi largohet nga detyra


Ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan është larguar nga Moska duke u tërhequr kështu nga shërbimi publik.

Lajmi u bë i ditur nga ambasada amerikane pa shpjeguar motivimet prapa këtij vendimi.

“Ambasadori i SHBA-ve në Federatën Ruse John J. Sullivan ka përfunduar mandatin e tij si i dërguar i SHBA-së dhe është larguar sot nga Moska”, vëren njoftimi zyrtar.

Sullivan u emërua në dhjetor të vitit 2019 dhe ka shërbyer si ambasador për gati tre vjet.

Pas largimit të tij, ai do të tërhiqet nga karriera në shërbimin publik që ka zgjatur katër dekada dhe nën pesë presidentë të SHBA-ve.

Këto, duke përfshirë shërbimin si Zëvendës Sekretar i Shtetit dhe në pozicione të larta në Departamentin e Drejtësisë, Mbrojtjes dhe Tregtisë.

Elizabeth Rood do të marrë detyrat si e Ngarkuar me Punë në Ambasadën e SHBA-ve në Moskë derisa të mbërrijë pasardhësi i diplomatit amerikan.

Përfundimi i misionit diplomatik të ambasadorit amerikan në Rusi dhe largimi i tij nuk u raportua më herët.

Një ditë më parë, Sullivan përfaqësoi SHBA-të në lamtumirën e presidentit të fundit sovjetik, Mikhail Gorbachev, në Moskë.

Kujtojmë që në prill të vitit 2021 Administrata Biden konfirmoi në detyrë ambasadorin amerikan të emëruar nga Trump.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore