Lajme

Ambasadori amerikan në Beograd tregon pse nuk u ftua Serbia në Samitin e Joe Biden


Ambasadori në largim i ShBA-së në Beograd, Anthony Godfrey

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Anthony Godfrey ka konfirmuar që Serbia nuk është e ftuar në Samitin për Demokraci të thirrur nga Presidenti Biden më 9 dhe 10 dhjetor.

Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk figurojnë në listën e të ftuarve në këtë samit, e cila u publikua nga Politico.

“Jo të gjithë partnerët mund t’i ftonim”, tha Godfrey për mediat serbe.

“Qëllimi ka qenë të ftohen vende të ndryshme nga rajone të ndryshme me nivele të ndryshme të zhvillimit demokratik, të madhësive të ndryshme dhe numër të ndryshëm banorësh”, tregoi ambasadori në largim amerikan.

“Por”, thotë ai, “sidoqoftë, ShBA mbetet e vendosur në bashkëpunim ne Serbinë përmes formave tjera për të avansuar dhe fuqizuar demokracinë”.

Këto komentime Godfrey i bëri pas bisedave në me kryetarin e Odës Ekonomike Amerikane në Serbi, Zoran Petroviç.

Në mesin e të ftuarve nga vendet e rajonit, siç bën të ditur gazeta amerikane Politiko, duke cituar burimet e saj, janë Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Më 9 dhe 10 dhjetor, Biden do të presë një samit virtual, i cili do të mbledhë së bashku përfaqësues të qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat.

Diskutimi do të përqendrohet në sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia, dhe axhenda e samitit është ende konfidenciale, sepse ekipi i Bidenit po punon në formësimin e tij.

Zyrtarët amerikanë kanë përshkruar një listë të angazhimeve të mundshme që vendet e tjera mund të marrin përsipër, të tilla si mbledhja e fondeve për programet e edukimit mediatik ose vendosja e kontrolleve të eksportit për disa teknologji me përdorim të dyfishtë, tha Politico.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore