Lajme

Ambasada ruse në Suedi e njeh Krimenë si pjesë të Ukrainës!


Ndërkohë që lufta në Ukrainë pas agresionit rus vijon prej tashmë thuajse një viti, selitë diplomatike të drejtuara nga Moska nuk janë edhe aq të vetëdijësuara për atë çfarë ndodh rreth tyre me sa duket, ku rasti më i fundit, është ai i Ambasadës ruse në Suedi.

Një postim i çuditshëm në median sociale Twitter, i bërë pasditen e 17 janarit 2023, reflekton një hartë të Evropës me çmimet e ndryshme të karburantit në gjithë kontinentin e vjetër.

Përtej vonesës prej më shumë se një javëshe në reflektimin e çmimeve, asgjë e pazakontë deri këtu…po të mos ishte në fakt për hartën e paraqitur!

Pavarësisht se Kremlini, me angazhimin e vet të shtuar të Vladimir Putinit, e aneksoi gadishullin e Krimesë në shkurt të vitit 2014, për selinë diplomatike të Moskës në Stockholm, nuk ka pasur në fakt të tillë gjë.

E gjithë Ukraina shihet e plotë në paraqitjen skematike, ku qëllimi fillestar ka qenë mburrja e rusëve për çmimin e tyre të ulët të naftës, i ndalur vetëm në 0.71 dollarë për litër.

Sytë gjithsesi veç ato shifra nuk i shohin, pasi një Ukrainë e madhe, e verdhë dhe e plotë, bie në sy akoma më shumë.

Duke mos llogaritur këtu se për Rusinë, të aneksuara tashmë janë edhe katër rajone të tjera në territorin e huaj: Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson.

Këto të fundit gjithsesi mundej edhe të “justifikoheshin” me përditësimin e hartave ende të pakryer.

Por për rastin e Krimesë?

Epo kjo ndodh kur faqet të cilave i referohesh për statistika janë evropiane, edhe pse në realitet “Forummapping”, të cilës Ambasada ruse i referohet këtë herë, është një faqe hungareze.

Drejtuesit e saj megjithatë, nuk duken të kenë afërsinë e Viktor Orbanit me një mendësi pak më totalitare dhe më të afërt me Rusinë se sa i gjithë Perëndimi.

Ndoshta, herë tjetër, diplomatët rusë nëpër botë, duhet të konsultohen me Moskën për çfarë publikojnë. Ose mund të rikthehet e gjithë Evropa si në vitin 2014, nëse mundet!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore