Shqipëria

Italia, BE dhe SHBA dënojnë dhunën në protestën para Bashkisë së Tiranës


Ambasada e Italisë në Tiranë ka dënuar aktet e dhunës të kryera sot gjatë protestës së zhvilluar para Bashkisë Tiranë.

“E drejta për t’u organizuar paqësisht e për të protestuar është thelbësore në një shoqëri demokratike, por dhuna ndaj objekteve apo personave nuk është aspak e justifikueshme”, shkruhet në një postim në platformën X – dikur Twitter.

Edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Ambasada Amerikane në vend kanë dënuar dhunën gjatë protestës së opozitës para bashkisë Tiranë.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë”, thotë BE-ja.

Delegacioni thekson se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore.

Gjithashtu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara nënvizoi se e drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët.

“Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune”.

Ambasada përshëndeti zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme.

Çfarë ndodhi?

Përfaqësues të opozitës, por edhe qytetarë kanë protestuar sërish përpara Bashkisë së Tiranës këtë të premte të 19 prillit – ashtu siç kishin lajmëruar.

Kjo pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni, me akuzën për abuzim me detyrën.

Protestuesit kanë hedhur molotovë dhe tymuese të shumta te dera e Bashkisë duke shkaktuar edhe një zjarr.

Ata janë përplasur me policinë duke kërkuar heqjen e gardhit metalik.

Sakaq, Tedi Blushi, këshilltari bashkiak i Partisë së Lirisë akuzoi Prokurorinë e Posaçme (SPAK) se po bashkëpunon me Erion Veliajn.

Kujtojmë që, qytetari i parë i Tiranës, Erion Veliaj, në një reagim nga zyra e tij u ka dalë në mbrojtje ish-zyrtarëve të institucionit që ai drejton, të cilët tashmë ndodhen pas hekurave.

Sipas Veliajt, ish-drejtorët ishin në krye të detyrës dhe e kanë realizuar atë më së miri.

“Redi Molla e kthehu në funksion ndërmarrjen e falimentuar të Ujësjellësit. E kthehu Tiranën nga 7 orë në 24 orë të furnizimit me ujë. Taulant Tusha ka ndjekur në mënyrë të jashtëzakonshme punën. Ka ndjekur me prioritet projektet e Tiranës”, tha kryebashkiaku.

Ai e cilësoi të gjitha reagimet e opozitës si gjueti shtrigash.

Për Veliajn një kryebashkiak nuk mund të dijë çdo gjë.

“Në pritje të fjalës së fundit të tyre, unë vetë ju them se asnjë përfitim i paligjshëm i tyre nuk më ka lidhur. Gabime mund të kem bërë plot, por kurrë se kam vënë firmën për përfitim personal apo të paligjshëm”.

Ndërkaq, Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi masat për ish-zyrtarët e bashkisë së Tiranës, duke lënë në burg 3 prej tyre dhe 5 të tjerë në detyrim paraqitje.

Kështu, në masën arrest me burg do te mbeten shtetasit Redi Molla, Margilen Qato dhe Taulant Tushe.

Sipas SPAK, Mariglen Qato dhe Redi Molla janë pronarë de facto të kompanisë 5D, e cila ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë. Hetimi nisi kryesisht nga SPAK, më pas ka qenë Belind Këlliçi ai që dërgoi një kallëzim të ri për dosjen 5D.

Dy ditë më parë Prokuroria e Posaçme SPAK ka firmosur nëntë masa sigurie për ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.

Mësohet se masë sigurie është firmosur edhe për Mariglen Qato, ish drejtor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës dhe ish drejtorin e UKT-së Redi Molla.

Nga masat e sigurisë, 3 prej tyre janë arrest në burg, ndërsa të tjerët arrest shtëpie e detyrim paraqitje.

Më 26 janar, Albanian Post pati paralajmëruar se gjashtë drejtorë në Bashkinë e Tiranës mund të përballen shumë shpejt me drejtësinë e SPAK.

SPAK mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet lidhur me procedimin penal për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Po kështu, Prokuroria e Posaçme mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga shtetasi Belind Këlliçi, ka rregjistruar procedimin penal nr.121, datë 23.05.2023. Të dy procedimet penale janë bashkuar në një procedim penal të vetëm, të numërtuar me nr.75 viti 2023.

Lidhur me këtë procedim penal, për një periudhë disa mujore dhe në mënyrë të pandërprerë, janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ku janë përfshirë administrimi dhe verifikimi i informacioneve nga burimet e hapura, kryerja e veprimeve hetimore proaktive, kryerja e kontrolleve të vendeve dhe kontrolleve të personave, sekuestrime të provave materiale, administrimi i dokumentacionit të një sërë procedurash prokurimi, kryerja e ekspertimeve teknike e kompjuterike, shqyrtimi dhe analizimi i të gjitha provave dhe dokumenteve të administruara.

Nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit R.M. dhe M.Q. janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Shtetasit R.M. dhe M.Q. e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare  në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit E.M., M.P. dhe N.M., si ortakë fiktiv në aktet e rregjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore