Rajoni

Ambasada amerikane në BeH: Nëse veprimet e dikujt janë anti-serbe, janë të Dodik-ut


Millorad Dodik

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë, duke iu përgjigjur presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH, Millorad Dodik, ka thënë se nëse veprimet e dikujt janë anti-serbe dhe kundër RS-së, atëherë janë ato të vetë Dodik-ut, duke shtuar se kryesia e Asamblesë Kombëtare të RS-së e ka fajin për veprimet antikushtetues dhe anti-Dejton (marrëveshja e vitit 1995, e cila i dha fund luftës në BeH) të Dodik-ut, pasi që të njëjtit po refuzojnë që t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese atje.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të BeH dhe do të vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës për veprimet e tyre individët e përfshirë në sjelljen kundër Dejtonit”, thuhet në deklaratën e ambasadës së ShBA-së, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.

Ndërkaq, ata vlerësojnë se Asambleja Kombëtare e RS-së, duke miratuar Ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH, sulmoi pamatur Marrëveshjes e Paqes që ishte arritur në Dejton, dhe Kushtetutën e BeH, e cila është pjesë përbërëse e saj.

“Asnjë sasi e retorikës politike apo dezinformimit nuk mund të ndryshojë faktin bazë që neni 3 i Kushtetutës së Dejtonit thotë qartë se Republika Srpska duhet të respektojë plotësisht vendimet e institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat përfshijnë vendimet përfundimtare dhe detyruese të Kushtetutës. Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës”, theksohet në deklaratë.

Tutje, ambasada e ShBA-së shtoi se RS “nuk mund ta anulojë në mënyrë të njëanshme këtë detyrim dhe as nuk mund të injorojë ligjërisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës”.

Ambasada amerikane deklaroi se serbët janë pjesë përbërëse e BeH-së multietnike dhe se ata kanë një rol në formësimin e institucioneve dhe të ardhmes së vendit, e cila është e përcaktuar edhe me Marrëveshjen e Dejtonit.

“Nëse Dodik pengon Asamblenë Kombëtare të RS të emërojë dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës, atëherë Gjykata do të marrë vendime pa dy gjyqtarë të zgjedhur nga RS”, potencuan ata.

Po ashtu, ambasada amerikane pohoi se veprime të tilla nga Dodik “do t’i privojnë banorët e Republikës Srpska nga një zë brenda institucionit shtetëror të parashikuar në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”.

“Dodik padyshim do të përsërisë pretendimet e tij banale dhe të rreme se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës dhe vendimet e saj janë të paligjshme, antiserbe apo kundër Republika Srpska, sepse në gjykatë nuk ka dy gjyqtarë nga RS”.

“Kjo është qartësisht hipokrite, duke pasur parasysh refuzimin e tij për të lejuar emërimin e gjyqtarëve të rinj nga RS në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës”.

Kujtojmë se më gjashtë janar të vitit 2022, Ministria e Financave e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se ka vendosur sanksionone ndaj sundimtarit ultranacionalist të Republika Srpska, Millorad Dodik. Po ashtu, sanksione kundër tij kishte vendosur edhe Britania e Madhe në prill të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore